Policia në Gjilan vazhdon kontrollet gjatë verës, vazhdon zbatimi i planit operativ “Vera 2026”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se po vazhdon me aktivitete të shtuara operative dhe parandaluese në kuadër të Planit Operativ “Vera 2026”.
Përmes stacioneve policore dhe njësive të specializuara rajonale, policia është duke zhvilluar patrullime dhe kontrolle në të gjithë zonën e përgjegjësisë, me fokus në rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e rasteve që mund të rrezikojnë qytetarët.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, vëmendje e veçantë i është kushtuar kontrollit të trafikut rrugor, parandalimit të aksidenteve dhe ndërmarrjes së masave ndaj personave që shkelin ligjin.
Po ashtu, policia ka bërë të ditur se po vazhdon angazhimet edhe në parandalimin dhe luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, përmes veprimeve operative dhe hetimore, identifikimit të personave të dyshuar dhe lokacioneve të mundshme.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka theksuar se do të vazhdojë me prezencën e shtuar policore dhe bashkëpunimin me qytetarët e institucionet tjera, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt gjatë sezonit veror.
Policia ka bërë thirrje për respektim të ligjit dhe bashkëpunim me zyrtarët policorë. /Telegrafi/


































