LAJMI I FUNDIT:

Policia konfiskon arsenal armësh në Ranillug, arrestohen tre serbë të dyshuar (Foto)

Policia konfiskon arsenal armësh në Ranillug, arrestohen tre serbë të dyshuar (Foto)

Gjatë një operacioni kontrolli, Policia e Kosovës ka zbuluar dhe ka konfiskuar një sasi të madhe armatimi dhe municioni në fshatin Ranillug. Gjatë këtij operacioni, ku janë sekuestruar edhe para të gatshme,  janë arrestuar tre persona të nacionalitetit serb .

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar – Sektori i Hetimeve, pas një informate të pranuar dhe hetimeve të zhvilluara në teren ka zbuluar se në disa lokacione të fshatit Ranillug, persona të dyshuar mbajnë në posedim sasi të konsiderueshme të armëve dhe municioneve të ndryshme.


Referuar informacioneve dhe rezultatit hetimor, sot  sipas planit operativ  të quajtur “MORAVA”, dhe në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata kompetente është vepruar në teren, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar të nacionalitetit serb, përcjell Telegrafi.

Sipas policisë, janë kontrolluar katër lokacione të ndryshme, shtëpi banimi me lokale përcjellëse me ç‘rast gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë mitraloz (PM) M 84 me 182 fishek cal 7.62 mm, një armë AK 47 me katër karikator me 16 fishek cal 7.62 mm , një tytë trombllonike, një arkë e mbyllur me municion (1200 fishek) cal 7.62 mm, një pushkë gjuetie me 23 fishekë, dy thika luftarake, 29,170 (njëzet e nënte mijë e njëqind e shtatëdhjetë ) Franga CH, 5,000 ( pesë mije) dollarë amerikan,  7,720 ( shtatë mijë e shtatëqind e njëzet) euro.

Sektori i Hetimeve  është mbështetur edhe nga Njësitet e Specializuara, Teknika Kriminalistike dhe Njësia me qenë – K9 .

Me vendim të prokurorit kompetent nga tre personat e arrestuar, njëri nga ta është dërguar në mbajtje, kurse dy të tjerët vazhdojnë në procedurë të rregullt. /Telegrafi/