LAJMI I FUNDIT:

Policia italiane bastis qelinë e “bosit” shqiptar, ja çfarë gjen

Policia italiane bastis qelinë e “bosit” shqiptar, ja çfarë gjen

Është gjetur në burgun e Montorios në Itali, telefoni celular nga ku janë publikuar në Facebook fotografitë e festës së ditëlindjes në burg të shqiptarit Emanuel Demaj, kreu i një bande grabitësish që vepronin në territorin e Italisë së Veriut. Ndaj tij prokurorja Silvia Golin ka kërkuar dënimin me 16 vjet burg.

Pas një kontrolli prej disa orësh trupat e Policisë italiane të ardhur nga qyteti i Viçencës në bashkëpunim me policinë e burgjeve kanë gjetur telefonin celular, por jo në qelinë e Emanuel Demaj, por në qelinë e një të burgosuri tjetër i huaj, me origjinë nga Europa Lindore.


Nuk dihet nëse ky celular i përkiste Demajt apo përdorej nga shqiptari e fshihej në qelinë e të burgosurit tjetër. Sipas policisë së burgjeve në festën e ditëlindjes së Emanuel Demaj morën pjesë të gjithë të burgosurit me përjashtim të një të dënuari italian.

Pak ditë më parë sekretari i sindikatës së policisë së burgjeve është prononcuar në lidhje me skandalin e fotografive të publikuara në Facebook nga i dënuari shqiptar Emanuel Demaj.

Sekretari provincial i sindikatës autonome të Policisë së burgjeve, Gerardo Notarfrancesco në faqen zyrtare të kësaj policie prononcohet në lidhje më skandalin që ka shkaktuar në

mediat italiane e në rrjetet sociale, fotografia e festës së ditëlindjes në burg të shqiptarit Emanuel Demaj, i konsideruar bosi i një bande grabitësish në Itali.

Kjo fotografi u zbulua falë hetimeve prej disa muajsh të Prokurorisë së Viçencës, bashkë me faktin e bisedave të shpeshta telefonike që Emanuel Demaj zhvillonte me vëllain e tij, gjithashtu dhe ai në burg në Francë.

“Që kur është vendosur regjimi i hapur, shprehet Gerardo Notarfrancesco, të burgosurit mund të qëndrojnë të paktën 8 orë së bashku e për t’i kontrolluar bëhet e vështirë. Në orët e drekës e të darkës mbyllen në qelitë e tyre por gjatë kohës tjetër mund të ndodh dhe që bashkojnë tavolinat e mblidhen në grupe. Për fat të keq në burgje nuk ka më mbikëqyrje si dikur më parë.”

Por më shumë se sa festa e ditëlindjes në burg ajo çka ka shkaktuar skandal në mediat e rrjetet sociale italiane është ekzistenca e telefonave celularë në burgje. Sipas të dhënave të policisë së burgjeve çdo muaj sekuestrohen mesatarisht 2 telefona celularë në ambientet e brendshme të burgut. Sipas sekretarit të sindikatës së policisë së burgjeve Gerardo

Notarfrancesco, “të burgosurit që kapen me celularë u sekuestrohet ky objekt si dhe rrezikojnë 15 ditë në izolim të plotë.”

“Në të kaluarën, shprehet Gerardo Notarfrancesco, kemi kërkuar aktivizimin e një dispozitivi që limiton përdorimin e telefonave celularë, por kërkesa jonë është hedhur poshtë nga personeli pasi ky fakt do të limitonte përdorimin e aparateve e të internetit në të gjithë strukturën e burgut.” Një vit më parë në oborrin e burgut ku është mbyllur shqiptari Emanuel Demaj është gjetur një qese me 4 telefona celularë. /Oranews/