LAJMI I FUNDIT:

Policia e Shqipërisë publikon masat për zgjedhjet e 25 qershorit

Policia e Shqipërisë publikon masat për zgjedhjet e 25 qershorit

Policia e Shtetit të Shqipërisë ka publikuar masat për procesin zgjedhor të 25 qershorit.

Sipas njoftimit të policisë, paraprakisht, janë marrë masa për hartimin e Programit të Punës të Policisë së Shtetit; caktimin e koordinatorëve e të policisë me KQZ-në dhe partnerët ndërkombëtarë; hartimi dhe prodhimi i librit të xhepit të punonjësit të policisë lidhur me detyrat që do të kryejnë gjatë procesit zgjedhor; trajnimi i 7047 punonjësve të policisë të strukturave të rendit publik, policisë rrugore dhe Kufirit e Migracionit që do të angazhohen me kryerjen e detyrave zgjedhore; ngritja dhe funksionimi i grupeve të drejtimit e koordinimit në strukturat qendrore dhe ato vendore të policisë.

Në njoftim lexohet se, trajnimi i drejtuesve të strukturave qendrore dhe atyre vendore të policisë si dhe i trajnerëve është realizuar me mbështetjen e ekspertëve të KQZ-së, Prokurorisë së Përgjithshme dhe OSBE-së.

Lidhur me fazën e dytë atë të fushatës zgjedhore e cila ligjërisht ka filluar më datën 26.05.2017 janë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike për të garantuar ushtrimin e të drejtave nga subjektet politike dhe pjesëmarrësit në këto aktivitete.

Drejtues të strukturave vendore të policisë po bashkëpunojnë me drejtues lokalë të subjekteve zgjedhore për shkëmbimin e informacioneve për kalendarin e zhvillimit të aktiviteteve dhe marrjen e detyrimeve sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet”.

Është vendosur bashkëpunimi me njësitë e qeverisjes vendore dhe Policinë Bashkiake për të zbatuar kërkesat e parashikuara në nenin 79 të Kodit Zgjedhor, mbështetjen e Policisë Bashkiake në raste të pengimit apo kundërshtimit të tyre në kryerjen e detyrave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor lidhur me heqjen e materialeve propagandistike të afishuara jashtë vendeve të përcaktuara nga Kryetari i Njësisë së Qeverisjes Vendore sipas nenit 79 të Kodit Zgjedhor.

Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe komunitetit që për çdo qëndrim e sjellje jo korrekte dhe jo ligjore të kryera nga punonjësit e policisë, ti denoncojnë ato menjëherë, duke ju garantuar trajtimin dhe marrjen e masave të rrepta ndaj punonjësve të policisë përgjegjës.

Policia e Shtetit garanton gjithë subjektet politike dhe zgjedhore, qytetarët dhe partnerët që asistojnë Policinë e Shtetit se Policia e Shtetit do të kryejë me profesionalizëm dhe paanshmëri detyrat dhe përgjegjësitë që i ngarkon ligji. /Telegrafi/