Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, ka arrestuar një person të dyshuar për disa raste të keqpërdorimit me kartela bankare.

Pas një pune të detajuar hetimore dhe operative, Njësiti i Hetimeve të Kryeqytetit ka arritur të identifikojë dhe të vë në pranga të dyshuarën A.G., 24 vjeç. Në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj saj është iniciuar procedurë për veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.




Policia ka theksuar përkushtimin e saj për të luftuar aktivitetet kriminale që cenojnë sigurinë financiare të qytetarëve, duke paralajmëruar se rastet e ngjashme do të hetohen me prioritet dhe autorët do të përballen me drejtësinë.

Njëkohësisht, Policia e Kosovës ka apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në mbrojtjen e të dhënave personale dhe bankare, në mënyrë që të mos bëhen viktima të keqpërdorimeve të tilla. /Telegrafi/