Një polic nga Hartfordi i quajtur Peter Getz, gjatë vitit 1998 ia kishte shpëtuar jetën vajzës Josibelk "Josi" Aponte e cila asokohe i kishte vetëm pesë vjet, kurse 18 vite më vonë ata janë bërë miq dhe raportohet se ai ka shkuar për të ndjekur për së afërmi ceremoninë e saj të diplomimit në Universitetin e Connecticut.

Para 18 vite kishte shpërthyer një zjarr në një apartament në Hartford, ku një person kishte humbur jetën. Megjithatë, kjo vajzë kishte mbijetuar falë gjestit heroik të këtij polici, transmeton Telegrafi.


Ai dhe kolegët e tij ishin duke patrulluar kur dëgjuan se kishte shpërthyer një zjarr, dhe menjëherë vepruan për të ndihmuar qytetarët.

Zjarrfikësit kishin gjetur në banesë dy persona, vajza ishte në gjendje kritike dhe nuk kishte kohë të pritet autoambulanca.

Vajza 3

“Josi ishte pa ndjenja dhe zemra e saj nuk rrihte, dhe kështu vendosa ta marrë nga duart e zjarrfikësve. Ishin shumë afër spitalit dhe për këtë nuk dëshiroja të prisja ndihmën e shpejtë, dhe kështu së bashku me një koleg timin e dërguam me urgjencë, derisa rrugës i epja frymëmarrje artificiale. Kam bërë gjithçka që ishte e mundur”, ka deklaruar Getz.

Dhe kur Josi u zgjua në spital, pa se afër vetes kishte familjarë dhe policët që ia kishin shpëtuar jetën.

“Për pak sa nuk kam vdekur, por fatmirësisht më është dhënë një shans tjetër”, ka deklaruar Josi.

Vajza 2

Prej atëherë Getz është interesuar vazhdimisht për gjendjen e saj shëndetësore, por nuk kanë mbajtur kontakte.

Dhe kështu para dy viteve, Josi ra në kontakt me të përmes postës elektronike dhe prej atëherë takohen rregullisht.

“Ajo gjithmonë do të jetë pjesë e familjes time”, ka deklaruar polici i pensionuar. /Telegrafi/