Po qeshnin të dy për një rast gjatë ndeshjes, gjyqtari shokon Hulkun kur e ndëshkon me karton

Futbollisti i njohur brazilian Hulk ishte sërish në qendër të vëmendjes gjatë ndeshjes dramatike mes Atletico Mineiro dhe Bucaramangas, e vlefshme për kualifikimin në 1/16 e finales së Copa Sudamericana.
Skuadra braziliane siguroi kalimin në fazën tjetër pas një serie të tensionuar penalltish, ku mposhti ekipin kolumbian. Por para se të fillonte gjuajtja e penalltive, ndodhi një episod interesant dhe disi komik në fushë.
Hulk u përfshi në një bisedë me gjyqtarin e takimit, Esteban Ostojich, që fillimisht dukej miqësore dhe e qetë. Gjyqtari dëgjoi me vëmendje, madje miratoi me kokë dhe i bëri shenjë Hulkit me gishtin e madh lart – gjest që sugjeronte mirëkuptim.
Megjithatë, sapo Hulk u largua për të shkuar drejt lojtarëve të tjerë, gjyqtari e ndaloi dhe në mënyrë të papritur i dha karton të verdhë, për kundërshtim verbal apo sjellje josportive, duke e lënë brazilianin të shtangur.
Pavarësisht incidentit, Hulk mori përsipër të gjuante penalltinë e parë për ekipin e tij dhe shënoi me siguri të plotë, pa i dhënë asnjë mundësi portierit të kundërshtarëve.
Në fund, Atletico Mineiro doli fituese dhe u kualifikua në raundin e 16-të të turneut, ku do të përballet me Godoy Cruz. /Telegrafi/


















































