Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me organizatën “Let’s Do It Kosova”,  pas përfundimit të kësaj fushate kanë ndarë grantin prej 1.2 milion euro për komunat fituese të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, aksion ky i cili kishte zgjatur tre muaj.

Mirëpo, nga ky fond përfituan vetëm 10 komuna ku me nga u shpërblyen  150 mijë euro janë shpërblyer komunat: Ferizaj, Gjakovë, Kamenicë dhe Vushtrri ndërsa me nga 100 mijë euro, komunat: Drenas, Gjilan, Prishtinë, Obiliq, Suharekë dhe Viti.

Ndërsa komunat e tjera  Junik, Han Elezit, Podujevë, Istog, Skenderaj, Malishevë, Pejë, Rahovec, Lipjan, Shtime, Deçan, Prizren e Mitrovicë u shpërblyen vetëm me shporta të mbeturinave e kontejner.

Nuk shkuan pakë orë dhe menjëherë filluan të shprehen pakënaqësitë për ndarjen e këtyre fonteve, disa u ankuan që morën vetëm kontejner e shporta të bërllogu, kurse të tjerat u ankuan se nuk i morën 150.000 euro por vetëm 100.000 euro.

E për të gjitha ankesat e Komunave, KALLXO.com ka kontaktuar ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshin i cili tha se vlerësimi ka qenë shumë profesional dhe shumë korrekt.

“Fondi i ndarë është nga Ministria e Mjedisit dhe jo nga organizata ‘Let’s do It Kosova’ por normalisht që kemi pasur sukses në task-forcë dhe e vlerësoj punën që e ka bërë ‘Let’s do It Kosova dhe komunat”, tha ai.

Sipas tij Komisioni ka zgjedhur komunat qe kanë punuar, duke shtuar se ende nuk ka pranuar ndonjë ankesë zyrtare nga ndonjë Komunë.

“Mendoj që janë zgjedhur nga Komisioni kanë punuar më së miri. Kam pranuar disa pakënaqësi nga Kryetarët të komunave. Nuk di që kanë bërë ndonjë ankesë zyrtare përveç atyre verbale, fundja menaxhimi i mbeturinave është kompetencë e Komunës dhe ky font është si mbështetje që ne ja japim si ministri”, tha Matoshi për KALLXO.com.

Lladrovci: Komuna e Drenasit ka merituar më shumë

Të parit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit, grandi prej 100.000 iu dukë  i pakët pasi që sipas tij komuna ka merituar 150.000 euro.

“Komuna e Drenasit, u rangua e 5-ta, dhe granti i planifikuar nuk u dha për 5 komuna por për 10, duke ulur sasinë e grantit më shumë se dyfish”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Tutje Lladrovci ka thënë që pret që në të ardhmen kjo komunë do të vlerësohet sipas meritës

“Shpresoj që në të ardhmen, komuna e Drenasit, do të vlerësohet sipas meritës, përkushtimit dhe performancës së matshme nga niveli qendror, për hir edhe të obligimeve dhe detyrimeve tona të ndërsjella”, ka shkruar tutje ai.

Podujeva: E habitshme është shqetësuese  mënyra sesi janë zgjedhur fituesit

Përveç Drenasit edhe Komunës së Podujevës nuk i pëlqeu “kurorëzimi” i kësaj fushate madje për këtë kjo komunë u ndje shumë e zhgënjyer.

Në një reagim ata kanë thënë që janë angazhuar maksimalisht.

“Komuna e Podujevës ka qenë e angazhuar maksimalisht në realizimin e aksionit tremujor në kuadër të projektit “Ta Pastrojmë Kosovën” e të mbështetur nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, Komuna e Podujevës shprehet e zhgënjyer me mënyrën se si u përzgjodhën komunat më të suksesshme në këtë aksion. Konsiderojmë se me rastin e vlerësimit dhe shpërndarje së granteve nuk është përfillur kriteri i vlerësimit të performancës”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Tutje në këtë reagim kjo komunë përmend punët që kanë bërë në kuadër të këtij aksioni, duke u shprehur e shqetësuar për vlerësimin e Ministrisë.

“Duke pasur parasysh kriteret e përcaktuara në fillim të aksionit dhe dukë u mbështetur në performacën e treguar gjatë këtij aksioni nga Komuna e Podujevës, më shumë se e habitshme është shqetësuese  mënyra se si organizata Ta Pastrojmë Kosovën dhe MMPH kanë bërë përzgjedhjen e komunave përfituese dhe në cilat kritere u mbështetën për ta shpërblyer performancën e komunave të përzgjedhura si fituese”, theksohet aty.

Diamant Bytyqi: Komuna  e Lipjanit ka plotësuar të gjitha kriteret

Edhe komuna e Lipjanit i është bashkangjitur ‘karvanit’ të Komunave të pakënaqura nga ndarjet e fonteve për fushatën ‘Let’s do ti Kosova’ , Diamant Bytyqi zëdhënës i kësaj Komune, ka thënë për KALLXO.com, se kjo komunë ka merituar më shumë.

“Komuna e Lipjanit ka merituar më shumë , ne kemi pasur mbi 10 aksione në kuadër të kësaj fushate në të janë përfshirë shumë qytetarë. Ne kemi shprehur pakënaqësinë tonë pse disa Komuna që kanë pasur më pak aksione kanë fituar grande”, tha ai.

Tutje ai ka përmendur disa nga punët e bëra në kuadër të kësaj fushate duke thënë që kanë plotësuar të gjitha kriteret.

“Nuk e di se çfarë kritere kanë pasur për përzgjedhje për ata që kanë fituar grande, mirëpo Komuna e Lipjani ka qenë shumë aktivë në fushatë, ku përveç realizimit të mbi 10-të aksioneve poashtu kemi larguar edhe mbi 20 deponi ilegale ku poashtu mbi 10 mijë tonë mbeturina janë larguar, dhe nuk e di se në çfarë baza janë  ndarë”, tha ai .

Komuna e Junikut: Qytetarëve tanë pandershmërisht iu mohua kontributi

Komuna e Junikut, vlerësimin e bërë me rastin e ndarjes së këtyre fondeve e ka cilësuar  si joserioz dhe të bërë në bazë të lidhjeve klanore.

“Përkundër pjesëmarrjes masovike të qytetarëve, bizneseve, OJQ-ve, nxënësve, personelit shëndetësor, policisë, institucioneve publike, në aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”, Komuna e Junikut nuk u rendit në mesin e Komunave të para, si rrjedhojë e Komisionit të Task-Forcës, “Ta Pastrojmë Kosovën” i cili i ka shkelur të gjitha standardet ligjore, profesionale e qytetare, duke u treguar tejet i njëanshëm e subjektiv, aspak serioz e i përgjegjshëm, përzgjodhi të parat ato Komuna me të cilat kishin miqësi e afërsi personale, lidhje klanore e rajonale”, thuhet në njoftimin e kësaj Komune.

Sipas tyre ata posedojnë prova për të gjitha aktivitetet të cilat nuk u vlerësuan drejtë nga ana e Komisionit

“I kemi raportet e provat të cilat dëshmojnë aktivitetet e pandërprera të Komunës së Junikut për 3 muaj rresht, fakte këto të cilat nga Komisioni nuk u vlerësuan objektivisht në bazë të kritereve të përcaktuara, duke shkelur parimet themelore të një vlerësimi të drejtë, jodiskriminues dhe të paanshëm. Në këtë aksion kanë marrë pjesë mbi 30% e popullsisë aktive të Komunës së Junikut, kontributi i të cilëve pandershmërisht u mohua dhe nuk u vlerësua drejtë”, thuhet tutje në këtë reagim.

Rahoveci shpreh keqardhje për mosfitimin e grantit 

Ndonëse e pakënaqur me vlerësimin e Komisionit për Task-Forcën ‘Ta pastrojmë Kosovën’ , Komuna e Rahovecit u tregua më e butë në reagimin e saj.

Ata u përkujdesën që edhe një herë të tregojnë punët që i kanë kryer duke u zotuar se do të vazhdojnë për një Rahovec më të pastër.

“Komuna e Rahovecit e ka prioritet absolut mbrojtjen, ruajtjen dhe kultivimin e ambientit të pastër e të bukur që e kemi. Në këtë periudhë, kemi krijuar një Task-Forcë të veçantë për të trajtuar me prioritet të lartë ambientin, kemi pastruar një nga deponitë ilegale më të shëmtuara në Komunën e Rahovecit – ajo në rrugën Rahovec – Malishevë ku kemi larguar 50 tonë mbeturina dhe kemi parandaluar hedhjen e mëtutjeshme, kemi larguar edhe deponi tjera në disa lokacione, totali mbi 210 tonë mbeturina”, thuhet në Komunikatën e kësaj Komune.

Ndërsa shprehin keqardhje për mosfitimin e ndonjërit nga grantet të cilat i dhuroi ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Komuna e Rahovecit i ka përmbushur e në disa raste edhe tejkaluar gjashtë kriteret e performancës për grantin që nuk e kemi fituar dhe për këtë na vjen shumë keq”, thuhet tutje aty. /Kallxo/