PLD: Dorëheqje të Dimitriev dhe formim i Qeverisë së unitetit kombëtar
Dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit për zbatim të zgjedhjeve, Emil Dimitriev, dhe formimi urgjent i Qeverisë për unitet kombëtar. Kjo është rruga e vërtetë për dalje të vendit nga kriza aktuale politike, ekonomike dhe morale në vend, të cilën VMRO-DPMNE e imponoi me vullnetin e saj, propozon PLD, transmeton Telegrafi Maqedoni.
„Kryeministri teknik Dimitriev, në periudhën që kaloi me asgjë nuk dëshmoi se përpiqet dhe punon lidhur me parakushtet për mundësimin e zgjedhjeve të drejta, demokratike dhe të besueshme, si dhe për zbatimin e rekomandimeve nga Raporti i Pribe. Përkundrazi, me të gjithë veprimet e tij ndihmon në anashkalimin e Marrëveshjes së Përzhinos, le hapësirë për dyshime akoma më të mëdha për listën e pa pastruar zgjedhore, ndërsa gjithnjë e më tepër na largon edhe nga rregullimi i mediave lidhur me raportimin e balancuar. Për çdo ditë jemi dëshmitarë të përpjekjeve të pushtetit për shuarjen e revoltit dhe të drejtës për protestë të qytetarëve me anë të kundër-protestave, kërcënimeve dhe presioneve, sidomos ndaj të punësuarve në administratë“, thotë PLD.
Në këto momente të vështira për shtetin, kur tensionet dhe ndarjet mes qytetarëve nga çasti në çast rriten gjithnjë e më tepër, jemi të bindur se formimi i Qeverisë së unitetit kombëtar, do të jetë mënyra më e mirë për dalje nga kriza, thonë nga PLD.
„Kërkojmë që në negociatat e reja të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e partive më të vogla si dhe sektori qytetar. Kryetari Ivanov ta tërheq faljen për kriminelët e qeverisë dhe të largohet nga funksioni, ndërsa Prokuroria Speciale Publike ti procedojë të gjithë hetimet që burojnë nga bisedat e përgjuara.
Vetëm kështu, Republika e Maqedonisë do të kthehet në rrugën e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe të integrimeve evropiane“, thuhet në njoftim./Telegrafi/





























