Platini takon Vokrrin, ndryshon qëndrimin për Kosovën

Vokrri e ka shfrytëzuar më së miri ‘blic’ vizitën që ia ka bërë i pari i UEFA-s kryetarit të Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Dukës dhe kryeministrit të këtij vendi, Edi Ramës. Interesant ka qenë fakti që Vokrri nuk ka qenë i ftuar në takim sipas protokollit.
Sidoqoftë, në takimin i cili u mbajt me dyer të mbyllura për mediat, Vokrri e ka informuar Platinin për zhvillimet e fundit në futbollin kosovar dhe pranimin e FFK-së me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA. Duke konfirmuar takimin ndërmjet Vokrrit dhe Platinis, burime të gazetës Arena pranë FFK-së zbulojnë më shumë rreth bisedimeve, ku bëhet e ditur se Platini ka ndryshuar rrënjësisht qëndrimin karshi Kosovës.
“Vokrri është takuar me Platinin sot në Tiranë. Takimi ka qenë shumë pozitiv e madje vlen të theksohet se qëndrimi i Platinis karshi Kosovës ka qenë shumë më pozitiv dhe dhe më i favorshëm se sa në takimet e kaluara. Është vërejtur qartë se e ka ndryshuar në tërësi qëndrimin dhe përshtypjet karshi Kosovës”, tregoi burimi për gazetën. Duhet të theksohet se kjo qasje e Platinis karshi Kosovës është befasuese, pasi që kreu i UEFA-s më parë nuk ka pasur qëndrim pozitiv ndaj FFK-së dhe futbollit kosovar. /Arena/Telegrafi/




















































