Planifikonin sulm terrorist në një treg Krishtlindjeje, 5 të arrestuar në Gjermani

Pesë burra janë arrestuar në Gjermani, të dyshuar për përfshirje në një komplot për të përplasur një automjet me njerëzit në një treg Krishtlindjesh.
Tre marokenë, një egjiptian dhe një sirian u arrestuan lidhur me planin për të synuar një treg në shtetin jugor bavarez.
Prokurorët thanë se egjiptiani - një 56-vjeçar - dyshohet se "ka bërë thirrje për një sulm me automjet... me qëllim vrasjen ose plagosjen e sa më shumë njerëzve".
Marokenët dyshohet se kanë rënë dakord ta kryejnë sulmin.
Bëhet e ditur se zyrtarët në Gjermani kanë qenë në gatishmëri të lartë pas sulmeve të mëparshme në tregjet e Krishtlindjeve, përfshirë atë në Magdeburg dhjetorin e kaluar që vranë gjashtë persona .
Autoritetet nuk thanë se kur duhej të ndodhte sulmi i planifikuar ose cili treg ishte shënjestra, megjithëse thanë se besonin të ishte një në zonën Dingolfing-Landau, në verilindje të Mynihut.
Pesë të dyshuarit u paraqitën para gjykatës dhe mbeten në paraburgim.
Ndryshe, tregjet e Krishtlindjeve janë atraksione festive të njohura në të gjithë Gjermaninë, duke tërhequr shpesh turma të mëdha njerëzish dhe turizëm të konsiderueshëm.
Siguria në evente është rritur vitet e fundit, që nga një sulm në Berlin në vitin 2016, kur një burrë drejtoi një kamion drejt një turme njerëzish në treg, duke vrarë 12 persona. /Telegrafi/








































