Real Madridi ka ndërmarrë masa të rëndësishme pas humbjes së thellë në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës, një disfatë që jo vetëm nxori në pah problemet e skuadrës, por edhe përshpejtoi vendimin për ndarjen me trajnerin Xabi Alonso.

Brenda drejtuesve të klubit ekzistonte bindja se projekti i trajnerit Alonso nuk arriti kurrë të konsolidohej plotësisht. Përtej vështirësive në zbatimin e filozofisë së tij të lojës, shqetësimi kryesor lidhej me gjendjen fizike të ekipit.


Lëndimet e shpeshta dhe rënia e dukshme e intensitetit në momentet vendimtare të ndeshjeve u konsideruan faktorë kyç që çuan në ndërprerjen e bashkëpunimit.

Në këtë situatë, rikthimi i Antonio Pintus shihet si një lëvizje strategjike. Trajneri i njohur i përgatitjes fizike, një emër i respektuar prej vitesh në Valdebebas, rikthehet me misionin për të rikthyer ekipin në nivelin optimal fizik.

Brenda klubit besohet se përvoja dhe metodologjia e tij mund të jenë vendimtare për të ndryshuar ecurinë negative.

Ndryshimi në bankinë kompletohet me promovimin e Alvaro Arbeloas, ish-trajnerit të Castillas, i cili merr drejtimin e ekipit të parë.

Drejtoria sportive, me mbështetjen e presidentit Florentino Pérez, është e bindur se bashkëpunimi mes Arbeloas në aspektin taktik dhe Pintusit në përgatitjen fizike mund t’i japë Real Madridit stabilitet dhe konkurrueshmërri në fazën vendimtare të sezonit.

Vendimi u miratua këtë të hënë nga Bordi i Drejtorëve të klubit, i cili mbështeti unanimisht ndryshimin e kursit, me bindjen se kjo fazë e re do ta rikthejë Real Madridin në nivelin që pritet nga një klub i përmasave të tij./Telegrafi/

telegrafi sport app