LAJMI I FUNDIT:

Petre Shilegov zgjedhet kryetari i BNJVL-së

Petre Shilegov zgjedhet kryetari i BNJVL-së

Kryetar i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov, është zgjedhur sot kryetar i Këshillit Administrativ të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), ndërsa si zëvendës të tij janë zgjedhur kryetari i Çairit, Visar Ganiu dhe kryetari i Kavadarit, Mitko Jançev në mungesë të tij.

Në seancën e sotme konstitutive të Asamblesë së Përgjithshme janë zgjedhur edhe të gjitha trupat e BNJVL-së. Në seancën nuk morën pjesë kryetarët nga radhët e OBRM-PDUKM-së opozitare, përcjell Telegrafi Maqedoni.


Shilegov pas zgjedhjes për gazetarët theksoi se këtë funksion e përjeton si një përgjegjësi më tepër, ndërsa prioritet do të jetë vazhdimi i procesit të decentralizimit, që është, siç tha edhe angazhim i Qeverisë, si dhe përmirësim i financimit të komunave me qëllim që ata të marrin pavarësi sa më të madhe ekonomike dhe financiare.

Ai paralajmëroi se si kryetar i BNJVL-së aktivitetet e tij do t’i orientojë edhe drejt lobimit si në Maqedoni, ashtu edhe para partnerëve të huaj me qëllim që ta përmirësojnë punën e Bashkësisë./Telegrafi/