LAJMI I FUNDIT:

Pesë yje për “Njeriun e Parë”

Pesë yje për “Njeriun e Parë”

Jeta e njeriut të parë që eci në Hënë, Neil Armstrong, është plot e përplot guxim, tragjedi dhe triumf sa që mund mendoni se kjo jetë e kërkon atë shkollën e vjetër të biopikëve të Hollivudit, me fjalime frymëzuese, me orkestra dhe tema të mëdha që përfshin ky zhanër. Por, “First Man” (Njeriu i Parë) nuk është biopik i tillë, shkruan kritiku i artit Nicholas Barber, transmeton Telegrafi.

Me regji të mjeshtrit Damien Chazelle (“La La Land”) dhe i shkruar nga Josh Singer (“Spotlight”), filmi është i rrjedhshëm, një dramë ekonomike që si një raketë që ka për të dalë nga graviteti i Tokës, hedh absolutisht çdo gjë për të cilën nuk ka nevojë. Dialogu është reduktuar në minimum. Ekspozetë janë hequr. Karakteret pa lidhje nuk ka sa që, në një moment, nuk sheh madje asgjë nga Buzz Aldrini (i luajtur nga Corey Stoll) i cili eci në Hënë me Armstrongun (Ryan Gosling), e aq më pak nga Mike Collinsi (Lukas Haas) i cili ka pilotuar anijen. Nuk do të dëgjoni asgjë për heroizmat e Armstrongut në Luftën e Koresë, ndërsa gara hapësinore prapa programit Apollo të NASA-s, është lënë në sfond. E, megjithatë, sado i përmbajtur që duket “Njeriu i Parë”, ky film sfidues, që është shumë i hulumtuar e shumë i besueshëm, ia del t’ju dridh, t’ju lë pa frymë dhe të derdhni edhe ca pika loti.


Filmi e merr formën nga vet Armstrongu. I luajtur nga Ryan Gosling – aktori më i pandjeshëm në këtë biznes – ai është pilot inteligjent dhe i aftë t’i mbajë emocionet nën kontroll, qoftë nëse lëviz nëpër qiell ose është duke pirë birrë në kuzhinë e tij. Kur flet me fëmijët e tij të vegjël, duket sikur po zhvillon një konferencë për shtyp, e kur është në një konferencë për shtyp, të duket sikur po i reziston hetimit nga agjentët e huaj. Ai është i lumtur në martesën me gruan Janet (Claire Foy – një aktore tjetër që mund të bëjë më shumë me një shikim sesa shumë aktorë me tri faqe monolog), por ata nuk janë bashkëshortë të papërmbajtur. Edhe nëse ndonjëherë largohen jashtë pronës së NASA-s, Chazelle nuk lejon ta shihni këtë të ndodh.

Ndoshta rezervimi pothuajse robotik i Armstrongut është ajo që i nevojitet një eksploruesi hënor. Duke e ndjekur atë gjatë viteve 1960 – që nga programi Gemini (bashkimi i dy anijeve në orbitë), e deri te programi Apollo (zbarkimi në Hënë) – “Njeriu i Parë” përçon atë forcën që tregon se sa i vështirë e i rrezikshëm, dhe se sa pak tërheqëse ishte të provosh prototipin e një anijeje. Astronautët dhe ata që do të bëhen astronautë, janë të strukur në hapësira të vogla, të rrethuar me tehe të mprehta të sipërfaqeve metalike, që mbahen në vend nga brezat që përdoren në buxhetet e linjave ajrore. Është gjë e rrallë të shohësh në film pjesën e jashtme të ndonjë aeroplani apo rakete. Në vend të kësaj, Chazelle ju vendos në kabinë me Armstrongun, teksa shpërthen nëpër re. Mjeshtrit të fotografisë, Linus Sandgren, i pëlqen të përdor kuadro të afërt që shfaqin çdo pore dhe rrudhë, ndërsa mjeshtres së zërit, Mary Ellis, i pëlqen të kalojë nga heshtja e deri te zhurma që ta shpon veshin. Filmi është kaq intensiv sa që edhe fluturimi më rutinor duket si mbyllja në një sirtar tavoline që rrotullohet nëpër mal gjatë një stuhie.

Këto teste fluturimi mund të jenë edhe fatale. Janë dy varrime në film, dhe disa të tjera që ndodhin jashtë ekranit, prandaj mos u lidhni shumë me ndonjë nga personazhet. Kur programi Apollo arrin në fazën kur një ulja hënora mund të provohet, Armstrong është zgjedhur si komandant jo për shkak të zemrës së tij të fortë dhe të kokës së ftohtë, por edhe për shkak se është një nga pilotët e paktë të kualifikuar që mbetën gjallë.

Sado që është mirë të mësojmë rreth këtyre sakrificave, filmi i trajton ato pa ndjenja, ashtu siç bën Armstrongu. Një qasje më e qartë do të ishte të hedhësh pikëllim në çdo rast, por “Njeriu i Parë” vazhdon të fluturojë nëpër ngjarje me shpejtësi të mahnitshme dhe me vendosmëri. Megjithatë, edhe pse nuk ndalet në rreziqet që Armstrongu është duke i ndërmarrë, narrativa i mban shikuesit në një gjendje të vazhdueshme tensioni, për shkak se vet ai dhe gruaja e tij janë në një gjendje të tillë tensioni. Të dy e dinë se ai nuk do të tërhiqet nga programi Apollo dhe të dy e dinë se mund të vritet, por këtë nuk e diskutojnë. Tekefundit, këto vite të guximit dhe modestisë së pashprehur janë më me ndikim se konfliktet me lot dhe pajtimet që mund t’i prisni.

Performancat e Goslingut dhe Foyt në “Njeriun e Parë” ndoshta janë padukshme për të fituar çmime. Por duhet të fitojnë, sepse është e vështirë të bëheshin më të mirë. E njëjta vlen për gjithçka tjetër në këtë film të jashtëzakonshëm. /Telegrafi/