LAJMI I FUNDIT:

Përveç TikTok, cilat aplikacione mund të ndalohen nga presidenti Trump?

Përveç TikTok, cilat aplikacione mund të ndalohen nga presidenti Trump?

Operimi i aplikacionit TikTok në SHBA mund të mbarojë, kjo pasi presidenti amerikan, Donald Trump, si dhe zyrtarë të tjerë janë duke shqyrtuar ndalimin e tij të menjëhershëm.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, përveç TikTok, edhe disa aplikacione dhe shërbime të tjera me pronësi kineze mund të ndalohen në SHBA.


TikTok është në pronësi të firmës kineze të teknologjisë ByteDance dhe është rritur në popullaritet ndër vite, veçanërisht në mesin e përdoruesve të rinj. Që nga prilli, aplikacioni është shkarkuar më shumë se 2 miliardë herë në të gjithë botën në të gjithë App Store të Apple dhe Google Play, sipas të dhënave nga Sensor Tower.

Të dielën, Sekretari i Shtetit amerikan, Mike Pompeo, tha se disa nga kompanitë e teknologjisë së vendit aziatik, “po thithin të dhëna për t’i transmetuar ato tek Partia Komuniste Kineze”.

Cilat aplikacione të tjera janë në rrezik?

Shënjestra e ardhshme parashihet të jetë aplikacioni WeChat nga kompania Tencent, i cili ishte i vetmi produkt që Pomepo e identifikoi me emër përveç TikTok.

WeChat i përshkruar si një rrjet social, në vete përmban elemente shumë më tepër, shkruan BBC, përcjell Telegrafi, i cili ofron mënyra për bërjen e pagesave, gjetjen e të dhënave si dhe ofrimin e lajmeve.

Ai njihet si një lloj sistemi operativ sekondar që qëndron në krye të iOS ose të Android.

Aplikacioni është parë gjithashtu edhe si një instrument nga ana e mbikëqyrjes së brendshme kineze – duke iu kërkuar përdoruesve lokalë të cilët u akuzuan për përhapjen e thashethemeve, të aplikojnë skanimin e fytyrës.

Mbi të gjitha, aplikacioni thuhet se gjoja përdoret nga Partia Komuniste Kineze për nxitjen e propagandës tek diaspora kineze.

Një seminar i mbajtur në fillim të këtij viti nga Instituti Australian i Politikave Strategjike, diskutoi se si grupet brenda aplikacionit u përdoren për rekomandimin e destinacioneve të pushimeve, restoranteve e që më pas këto lajme i kanë transferuar lexuesit tek mesazhet politike për sa i përket Pekinit.

Ndërkohë, një hulumtim së fundmi nga studiuesit e sigurisë në Citizen Lab të Kanadasë, tregoi se si imazhet dhe dokumentet e transmetuara midis përdoruesve të huaj po mbuloheshin për disa përmbajtje që autoritetet kineze mund t’i kenë konsideruar si të ndjeshme politikisht.

Studimi sugjeroi që të dhënat e mbledhura po përdoren për të përsosur përpjekjet e censurimit brenda vetë Kinës.

Kompania Tencent ka thënë se përmbajtjet e ndara midis përdoruesve ndërkombëtar të WeChat qëndrojnë private.

Lista e aplikacione kineze që u ndaluan në Indi

India ofron një sugjerim se cilat aplikacione të tjera kineze mund të ndalohen.

Vendi i ndaloi 59 aplikacione të lidhura me Kinën, me arsyetimin se ato kërcënuan “sovranitetin dhe sigurinë” e shtetit. TikTok dhe WeChat ishin në listë, dhe emra të tjerë të mëdhenj përfshijnë;

Baidu Maps dhe Baidu Translate – rivalë për produktet e kompanisë Google;

Weibo – shërbim mikro-blog i ngjashëm me Twitter;

Clash of Kings dhe Mobile Legends Bang Bang – dy lojëra kompjuterike;

CamScanner – një produkt i skanimit të dokumenteve;

QQMail – shërbim i ngjashëm me e-mail për transferimin e fajllave;

India dhe Kina janë përfshirë në një mosmarrëveshje të gjatë për shkak të çështjeve kufitare.

Sipas raportimeve lokale, qeveria po mendon të ndalojë edhe 275 aplikacione të tjera, disa prej të cilave mund të jenë më të njohura për një audiencë amerikane, përfshirë;

AliExpress, një dyqan online nga kompania kineze Alibaba;

Video-lojëra nga kompania NetEase;

Lojërat e kompanisë Tencent;

Aplikacione të ndryshme të markës Mi nga prodhuesi i telefonave Xiaomi;

Shtypi indian ka sugjeruar se video-loja Clash of Clans e zhvilluar nga Supercell, gjithashtu mund të ndalohet në Indi.

Aplikacionet të cilat skanojnë fytyrën e njeriut

Pompeo gjithashtu ka sugjeruar se shqetësim përbëjnë edhe sistemet që mbledhin skanimet e identifikimit të personave përmes fytyrës.

Ai nuk specifikoi me emër asnjë produkt dhe ka shumë kompani kineze që bëjnë produkte të tilla.

Rrjeti social Kwai dhe aplikacioni YouCam Makeup, përdorin algoritme për njohjen e fytyrës dhe janë ndër aplikacionet kineze që u ndaluan në Indi.

Duhet të theksohet se kufizimet e SHBA-së për sa i përket firmave kineze nuk janë krejtësisht të reja.

Në vitin e kaluar, administrata e Trump, i ka shtuar dhjetëra kompani kineze në “listat e zeza” ekonomike, të cilat nuk i lejoi ato të blejnë teknologjinë amerikane pa miratimin e qeverisë. /Telegrafi/