Përurohen hapësirat e renovuara të Psikiatrisë

Në Klinikën e Psikiatrisë, janë ndërtuar disa dhoma për rekreacion të pacientëve, të cilat janë pajisur me infrastrukturë përcjellëse, televizion dhe pajisjeve për rekreacion dhe zbavitje të pacientëve.
Po ashtu, është rinovuar një dhomë edhe për pacientët narkomanë të cilët tash e tutje do kenë hapësirë të veçantë për të kaluar kohën e lirë dhe për tu zbavitur si dhe është bërë lyerja e tërësishme e hapësirave të klinikës.
Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, me këtë rast, vlerësoi se tash e tutje pacientët që kanë nevojë për shërbime psikiatrike, do të kenë shërbime të kompletuara dhe profesionale, të cilat do ofrohen në kuadër të Klinikës së Psikiatrisë. Ministri Gashi, tha se Ministria e Shëndetësisë, po punon në vazhdimësi për të përmirësuar shërbimet shëndetësore në kuadër të Republikës së Kosovës, dhe se këto përmirësime po vërehen në vazhdimësi.
Në anën tjetër, Jusuf Ulaj, drejtor Ekzekutiv në QKUK, tha se përmes këtij investimi, është përmirësuar dukshëm ambienti i Klinikës së Psikiatrisë. Ai sqaroi se investimi është mundësuar nga ana e Qeverisë së Zvicrës dhe Lihtenshtajenit, të cilat kanë ndarë 500 mijë euro, nga të cilat 50 mijë euro, janë ndarë për renovim të hapësirave të Klinikës së Psikiatrisë, kurse pjesa tjetër e mjeteve do shfrytëzohen për trajnim të stafit të QKUK-së.
Renovimi i Klinikës së Psikiatrisë, u mundësua, falë një donacioni të Qeverisë së Zvicrës dhe Lihtenshtanjit, të cilat në kuadër të ndihmesave që kanë dhënë për shëndetësinë e Kosovës, kanë ndarë 500.000 euro, nga të cilat vetëm 50.000 janë shfrytëzuar për renovim të hapësirave në Klinikën e Psikiatrisë. /Telegrafi/


































