LAJMI I FUNDIT:

Përpjekjet për ‘çlirim’ të Lumëbardhit në Deçan

Përpjekjet për ‘çlirim’ të Lumëbardhit në Deçan
Foto: OJQ Pishtarët/Courtesy

Aktivistët mjedisorë dhe një nga organizatat më të madha në Evropë që lufton për mbrojtjen e lumenjve nga shkatërrimi, Riverwatch, e kundërshtojnë një koncept për rehabilitimin e zonave të dëmtuara nga ndërtimi i hidrocentraleve në qytetin e Deçanit në Kosovë.

Në rrjedhën e lumit Lumëbardh në këtë qytet janë katër hidrocentrale në pronësi të kompanisë austriake, Kelkos.


Më 22 nëntor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI) publikoi në ueb-faqen e saj një koncept-dokument, të hartuar nga një ekspert austriak, për rehabilitim të vetëm njërit lokacion, i njohur si Zalli i Rupës, që ndodhet në Grykën e Deçanit.

Ky është lokacioni më i dëmtuar gjatë fazës së ndërtimit të hidrocentraleve në Deçan, shkruan REL.

Eksperti u angazhua nga kompania Kelkos dhe koncepti u mbështet nga MMPHI-ja.

Që nga fillimi i ndërtimit të hidrocentraleve, në vitin 2014, aktivistët dhe banorët lokalë kanë ngritur zërin për dëmet që i janë shkaktuar lumit dhe zonës përreth.

Ata thonë se Kelkos-i, gjatë punimeve, ka dëmtuar shtratin e lumit dhe pjesët atraktive për turizëm. Sipas tyre, është dëmtuar edhe rruga që shfrytëzohet nga qytetarët për të shkuar në bjeshkë.

Kelkos, po ashtu, akuzohet se shfrytëzon sasi më të madhe të ujit për prodhim të energjisë elektrike, sesa sasia që e ka të lejuar, duke e lënë lumin pa ujë në pjesën më të madhe të vitit.

Drejtuesi i organizatës Riverwatch, me bazë në Austri, Ulrich Eichelmann, është kritik ndaj institucioneve të Kosovës për mënyrën se si kanë lejuar ndërtimin e hidrocentraleve.

Eichelmann nuk e mbështet asnjë iniciativë për rehabilitim të pjesshëm të dëmeve, të shkaktuara nga ndërtimi hidrocentraleve në Deçan.

“Çfarë unë besoj se është duke ndodhur, është se Kelkos është duke bërë presion të madh që të marrë leje, së paku për të operuar me disa nga hidrocentralet në Deçan”, thotë Eichelmann për Radion Evropa e Lirë.

Eichelmann thotë se ngutja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, si dhe e kompanisë Kelkos për të prezantuar iniciativa për rehabilitime të pjesshme, bëhet për shkak të presionit në rritje të kompanisë Kelkos, për t’u pajisur me leje që mundësojnë rikthimin në operim të hidrocentraleve në Deçan.

Kelkos-i ka bërë investimin e parë në Grykën e Deçanit, kur në vitin 2009 ka blerë një hidrocentral ekzistues.

Në periudhën 2014-2017, Kelkos-i ka ndërtuar edhe tri hidrocentrale të reja, të cilat kanë nisur të operojnë pak muaj pas ndërtimit. Por, puna e tyre është ndërprerë disa herë.

Aktualisht, tri hidrocentrale në pronësi të Kelkos-it janë jashtë funksionit, pasi, më 15 tetor të këtij viti, Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur në favor të një ankese të banorëve të Deçanit.

Sipas Gjykatës, banorët kanë paraqitur prova bindëse se po u shkaktohen dëme nga operimi i hidrocentraleve.

Drejtuesi i organizatës, Riverwatch, Ulrich Eichelmann, thotë se në zonën e Deçanit janë bërë aq shumë dëme, sa që nuk duhet lejuar operimi i asnjërit prej këtyre hidrocentraleve, pa u sqaruar shkeljet ligjore, si dhe pa rehabilitim të plotë të pjesëve që janë dëmtuar nga ndërtimi i tyre.

“E gjithë çështja është se Kelkos është duke humbur para [nga mosoperimi i hidrocentraleve] kundrejt një qasjeje korrekte. Duhet të themi: le të nisim nga fillimi dhe le t’i shkojmë të gjitha aspektet, duke përfshirë ato ekologjike, diskutimet me banorët lokalë, por po ashtu edhe çështjet ligjore, sepse jam i sigurt se ka shumë paqartësi ligjore dhe kjo kërkon kohë”, shprehet Eichelmann.

Aktivistja Shpresa Loshaj, e cila drejton organizatën joqeveritare Pishtarët, prej vitesh, ka ngritur zërin për dëmet që i janë shkaktuar lumit Lumëbardh, si dhe natyrës përreth hidrocentraleve në Deçan.

Ajo thotë se nuk do të pranojnë asnjë propozim pa qenë të përfshirë në proces aktivistët dhe qytetarët e Deçanit.

Asgjë nuk pranojmë më ndryshe, pa u bërë plani rehabilitues, pa pasur terme të referencës, shuma që do të investohet… Do të thotë, gjithçka në detaje duhet të jetë e shkruar në atë plan. Ne nuk i besojmë Kelkos-it, sepse ka dhjetë vjet që na gënjen. Ka dhjetë vjet që thotë unë bëj këtë, unë bëj atë, vetëm më jepni lejet dhe asgjë nuk ka bërë. Në fakt, na ka shkatërruar krejt”, shprehet ajo.

Loshaj thotë se koncept-dokumenti i prezantuar nga MMPHI-ja, në vetëm gjashtë faqe, në të cilat janë të shënuara vetëm pikat kryesore, paraqet në parim “joseriozitetin” e Ministrisë së Mjedisit në trajtimin e dëmeve që janë shkaktuar nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Ministria hesht

Pas kritikave që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marrë nga aktivistët dhe organizata Riverwatch, Radio Evropa e Lirë e ka pyetur këtë ministri se çfarë do të ndodhë me konceptin për rehabilitimin e Zallit të Rupës në Deçan.

Po ashtu, REL-i ka pyetur MMPH-në nëse i ka kërkuar kompanisë Kelkos rehabilitim të pjesëve të tjera të dëmtuara në Deçan. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje.

As Kelkos nuk i është përgjigjur pyetjes nëse i është kërkuar nga MMPHI-ja që, krahas rehabilitimit të Zallit të Rupës, të bëhet edhe rehabilitimi i zonave të tjera të dëmtuara.

Drejtori i Kelkos-it në Kosovë, Valon Berisha, thotë se janë dukur punuar në një plan konkret të rehabilitimit.

“Plani konkret është në përgatitje e sipër nga ekspertët në fjalë, në përputhshmëri me raportet mbi gjendjen faktike dhe masat e nevojshme të rekomanduara për rehabilitim”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht kësaj që thonë përfaqësuesit e Kelkos-it, aktivistja Shpresa Loshaj thotë se kërkesa e saj dhe e banorëve të Deçanit është që MMPHI-ja dhe Kelkos të prezantojnë plan të detajuar, përfshirë mënyrën e realizimit të projektit, marrëveshjet me institucionet lokale dhe kompensimin që Kelkos duhet t’ua bëjë banorëve që u janë dëmtuar pronat.

“Ne duhet të jemi pjesë e barabartë në këtë proces, banorët e Deçanit duhet të pyeten dhe atëherë do të kalojë çfarëdo zgjidhjeje që të jetë, përndryshe Ministria le të vazhdojë vetëm si të do”, thotë Loshaj.

Organizata Riverwatch i ka dhënë disa rekomandime Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës se si duhet përmirësuar gabimet që janë shkaktuar nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Riverwatch i rekomandon MMPHI-së identifikimin e aspekteve thelbësore ekologjike dhe sociale, formimin e një komisioni të pavarur të ekspertëve për të zhvilluar koncepte për zgjidhjen e problemeve, si dhe inkurajon konsultime me komunitetin lokal për çdo iniciativë të rehabilitimit të natyrës.

Çdo përjashtim i qytetarëve dhe opinionit publik nga çështja e hidrocentraleve, sipas kësaj organizate, përbën shkelje të standardeve ndërkombëtare.

Ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, ka deklaruar më 24 nëntor se kompanisë Kelkos i është refuzuar leja për njërin hidrocentral, për shkak se gjatë ndërtimit e ka ndryshuar projektin.

Shkelje ligjore, sidomos në ndërtimin e hidrocentraleve në Deçan, ka gjetur edhe një grup punues i formuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës.

Siç është thënë në raportin e muajit korrik të këtij viti, ndërtimi i hidrocentraleve është përcjellë me shkelje dhe tejkalime të shumta ligjore, dëmtime të rrjedhës së lumenjve, si dhe shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike.

Hidrocentralet e Deçanit mund të furnizojnë 39,700 shtëpi

Hidrocentrali Belaje ka kapacitet prej 8.2 megavatesh në orë dhe mund të furnizojë me energji elektrike 9,600 amvisëri.

Hidrocentrali Deçani ka kapacitet prej 9.8 megavatesh në orë dhe mund të furnizojë me energji elektrike 15,200 shtëpi.

Lumëbardhi 1 ka kapacitet prej 8.2 megavatesh në orë dhe mund të furnizojë 7,700 shtëpi.

Ndërsa, Lumëbardhi 2 ka kapacitet prej 6.2 megavatesh në orë dhe mund të furnizojë 7,200 shtëpi.

Përveç adresimit të dëmeve në Deçan, aktivistët dhe organizata Riverwatch kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të merret edhe me shkeljet që e kanë shoqëruar ndërtimin e hidrocentraleve në pjesët e tjera të Kosovës, në veçanti në Komunën e Shtërpcës.

Drejtuesi i Riverwatch, Ulrich Eichelmann, thotë se MMPHI-ja, në veçanti, duhet të angazhohet që të respektohet çdo ligj dhe rregullore, sa i takon ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve në Kosovë.