LAJMI I FUNDIT:

“Përpiqem të jem një dritë e vogël, në këtë errësirë”, gazetarja afgane rrëfen pse u largua nga vendi i saj dhe si ndihet në Kosovë

“Përpiqem të jem një dritë e vogël, në këtë errësirë”, gazetarja afgane rrëfen pse u largua nga vendi i saj dhe si ndihet në Kosovë

Gazetarja Amina Omid, 27 vjeçe, e cila u lind në provincën Ghor të Afganistanit tashmë po i bën gati tri javë që është duke jetuar në Kosovë. Ajo ka gjashtë vjet që ushtron profesionin e gazetares. Këtë profesion e kishte zgjedhur me shpresën për të ndihmuar për çështjet që ndërlidhen me gratë dhe përfshirjen e tyre në jetën publike, në arsim e punësim.

Telegrafi ka realizuar një bisedë të shkurtër me gazetaren afgane Omid, e cila flet për jetën e saj në Kosovë si dhe përshtypjet e para për shtetin më të ri në Ballkan.


Ajo ka ardhur në Kosovë më 30 janar me ndihmën e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, qeverisë gjermane dhe Qeverisë së Kosovës.

“Kam 18 ditë që jetoj në Kosovë”, tha ajo.

E pyetur se cila është përshtypja e saj e parë për Kosovën, Omid theksoi se “Kosova është vendi më i ri në kontinentin e gjelbër të Evropës dhe në të rritet ndjenja e lirisë. Që kur erdha në këtë vend, gjeta paqen dhe lirinë. Jam shumë e lumtur dhe falënderuese për këtë mundësi që kam në Kosovë”.

Omid tregoi se në Kosovë e ushtron profesionin e saj si gazetare.

Por, çfarë i ka ofruar shteti ynë gazetares afgane, që të ketë një jetë më të mirë?

“‘Gazetarët në Rezidencë – Kosovë’, program i iniciuar nga ECPMF, i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga AJK, marrim strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor, kurse integruese dhe më e rëndësishmja, mund të vazhdojmë të bëjmë punën tonë si gazetarë gjatë qëndrimit në Kosovë”.

Omid thotë se të qenit refugjat është gjëja më e tmerrshme në botë.

“Për fat të keq u detyrova të largohem nga familja dhe nga vendi im”, u shpreh ajo.

“Talebanët më kërcënuan para se të merrnin pushtetin në Afganistan. Ishte pesë muaj para vjeshtës kur publikova dy raporte investigative për dhunën e talebanëve në disa provinca perëndimore të Afganistanit. Ata më kërcënuan mua dhe kolegët e mi”.

Gazetarja tregon për Telegrafin se pas 15 gushtit, një javë më vonë, talebanët morën zyrën e mediave të quajtur Hamasa-e Tagher.

“Një media me të cilën unë punoja dhe ndodhet në provincën Ghor. Zyrat e kësaj medie janë ende nën kontrollin e talebanëve, të cilët e përdorin atë si bujtinë të ushtrisë”, theksoi Omid.

Ajo tha se pas të gjitha peripecive që kaloi në Afganistan (vendin e saj), gjeti paqe dhe siguri vetëm në Kosovë.

“Unë publikova një raport për sjelljen e tyre dhe mënyrën se si i morën këto zyra dhe vetëm pak ditë më vonë talebanët më dërguan një letër kërcënuese dhe më kërkuan të shkoja në zyrat e tyre dhe t’u përgjigjesha disa pyetjeve. Unë e shpërfilla kërkesën e tyre, kështu që ata kontrolluan dy herë zyrat në Kabul dhe erdhën edhe nga shtëpia ime. Pas gjithë këtyre ngjarjeve, me ndihmën e FPU-së, u transferova në Islamabad. Kam vuajtur një vit e gjysmë në Pakistan dhe kanë vetëm dy javë që ndjej paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Omid për Telegrafin.

Sipas saj, situata në Afganistan po përkeqësohet dita-ditës dhe gratë e vajzat nuk lejohen të shkojnë në punë, në universitet dhe në shkollë.

“Për shkak se nuk lejohen të punojnë, shumë familje dhe fëmijë janë të varfër dhe të uritur. Prandaj, po përpiqem të jem një dritë e vogël në këtë errësirë ​​dhe e di se sa vendimtare është të jesh një zë pozitiv në këtë heshtje”, ka rrëfyer gazetarja afgane Omid.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte miratuar propozim vendimin në fund të muajit dhjetor për strehimin e pesë gazetarëve nga Afganistani në Kosovë. Gjithashtu ka ndarë edhe 30 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të tyre.

Përzgjedhja e gazetarëve është bërë nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediat  në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori