LAJMI I FUNDIT:

Përparim Rama merr detyrën e kryetarit të Prishtinës: Do të bashkëpunoj me të gjithë pa dallim

Përparim Rama merr detyrën e kryetarit të Prishtinës: Do të bashkëpunoj me të gjithë pa dallim

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama ka pranuar sot edhe zyrtarisht detyrën e të parit të kryeqytetit. Rama ka dhënë betimin para anëtarëve të asamblesë komunale të Prishtinës.

“Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme  që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”, tha Rama.


Ai shtoi se sot është ditë e veçantë për qytetarët e Prishtinës, dhe se nga sot zëri i tyre nuk është moto e fushatës, por zotim i tij dhe i ekipit.

“Besimi i qytetarëve më jep përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jam i vetëdijshëm që kjo detyrë përtej privilegjit është obligim serioz dhe sfidë e madhe që do t’i vihemi përpara me punë të ndershme, me profesionalizëm dhe me dinjitet” tha Rama.

Rama tha se ndjehet mirënjohës për të gjithë qytetarët e Prishtinës në çdo lagje e fshat.

“Guximi me ja dashtë të mirën vendit tonë, të mos ndalet këtu. Forca e uniteti, sinqeritetit e bashkimit na duhet për të quar përpara këtë qytet”, u shpreh kryetari i ri i Prishtinës.

Rama shtoi se Prishtina do të jetë vend plot gjallëri e mundësi për të rinjtë.

“Të nderuar asamblistë si kryetar i Prishtinës do të bashkëpunoj me secilin prej jush për të mirën e kryeqytetit. I mirëpres të gjithë pa dallime për të quar përpara projekte që na përmirësojnë jetën e të gjithëve”, tha Rama.

Kryetari i ri i Prishtinës i bëri ftesë shoqërisë civile dhe partive politike që t’i bashkëngjiten në qeverisjen e tij për Prishtinën.

Detyra e të parit të Prishtinës, Ramës i’u dorëzua nga ish-kryetari i kryeqytetit Shpend Ahmeti, i cili mori pjesë edhe në ceremoninë e betimit të Ramës dhe asamblistëve. Nga 51 asamblistët e zgjedhur, në seancë morën pjesë 48. Munguan Arben Vitia, Daut Haradinaj dhe Rinë Limani./Telegrafi/