Java e 14-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut sjell një program të pasur futbollistik, me ndeshje të forta, ku në qendër të vëmendjes është derbi shqiptar ndërmjet Arsimit dhe Shkëndijës, ndërsa sfida Shkupi – Pelisteri është shtyrë për të martën për shkak të gjendjes së keqe të fushës në Strugë, njofton Telegrafi.

Ndeshja ndërmjet Shkupit dhe Pelisterit, e vlefshme për javën e 14-të të Ligës së Parë të Maqedonisë, ka marrë një termin të ri. Fillimisht ishte planifikuar të luhej sot, por kjo nuk do të ndodhë.


Problemi qëndron tek gjendja e fushës në “Stadionin e Qytetit” në Strugë, ku Shkupi i zhvillon ndeshjet si vendas. Pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit, terreni është i përmbytur dhe nuk ofron kushte minimale për zhvillimin e lojës.

Për këtë arsye, me marrëveshje mes dy klubeve dhe FFM-së, ndeshja është shtyrë për të martën, në të njëjtin orar – 13:00.

Ndërkohë, këtë fundjavë do të kemi disa përballje interesante në kampionat. Të dielën në Gostivar luhet derbi shqiptar mes Arsimit dhe Shkëndijës, gjithashtu me fillim nga ora 13:00. Po në të njëjtin termin, Bashkimi nga Kumanova do të jetë mysafir i Tikveshit në Kavadar.

Të hënën Struga udhëton drejt Shkupit në sfidën kundër Rabotniçkit, ndërsa një ditë më parë u luajt ndeshja mes Maqedonija GJ.P dhe Sileksit, ku ekipi mysafir nga Kratova fitoi me rezultat 1-2. Sot, duke filluar nga ora 13:00, zhvillohet edhe takimi AP Brera – Vardari. Java pra mbyllet me duelin Shkupi Pelisteri që luhet të martën. /Telegrafi/

telegrafi sport app