Përmbytet një varkë në Nigeri, të paktën 100 të vdekur

Më shumë se 100 persona kanë humbur jetën pasi një varkë u përmbys në Nigeri.
Policia tha se kërkimet për të mbijetuar janë intensifikuar pas incidentit në lumin Niger.
Mendohet se anija u mposht papritur nga valët e lumit përpara se të përplasej me një pemë, raporton metro.co.uk.
Viktimat, duke përfshirë gra dhe fëmijë, po ktheheshin nga një ceremoni martese gjatë natës në fshatin Egboti në shtetin e Nigerit, tha banori lokal, Usman Ibrahim. Nuk ishte e qartë nëse kishte të mbijetuar, transmeton Telegrafi.
“Njerëzit në varkë duhej të merrnin biçikletat e tyre (pasi të zbrisnin). Varka bartte më shumë se 100 njerëz kur u përmbyt”, deklaroi ai.
Zyrtarët lokal dhe qytetarë po kërkojnë ende trupat në lumë, i cili është një nga më të mëdhenjtë e Nigerisë.
Aksidentet me varka janë të zakonshme në shumë komunitete të largëta në të gjithë Nigerinë, ku anijet e prodhuara në vend përdoren zakonisht për transport.
Shumica e aksidenteve i atribuohen mbingarkesës dhe përdorimit të varkave që nuk mirëmbahen mirë. /Telegrafi/



















































