LAJMI I FUNDIT:

Përmbyset barka, një fëmijë migrantësh gjen vdekjen në brigjet greke

Përmbyset barka, një fëmijë migrantësh gjen vdekjen në brigjet greke

Një fëmijë ka vdekur në ishullin grek të Lesbos, pasi varka që transportonte migrantë u përmbysë.

Kjo besohet të jetë vdekja e parë e raportuar që kur Turqia njoftoi se po hapte kufijtë e saj për në Evropë.


Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, varka bartte 48 persona të shoqëruar nga rojet bregdetare turke, gjersa hyri në ujërat greke në fillim të së hënës.

Raportohet se 46 pasagjerë shpëtuan pa lëndime, ndërsa dy fëmijë u dërguan në një spital të Lesbos, ku njëri prej tyre vdiq më vonë.

Vdekja e të riut vjen pasi numri i refugjatëve që udhëtojnë në ishujt e Egjeut të Greqisë është rritur ditëve të fundit, ndërsa kjo ka ngjallur shqetësime për kushtet e jetesës në kampe tashmë të mbipopulluara, duke shkaktuar bllokada edhe nga banorët e zonave në Greqi.

Javën e kaluar qeveria turke ka njoftuar se nuk do t’i ndalojë refugjatët të kalojnë në Greqi, ndërsa njoftimi bëri që migrantët të niseshin drejt veriut në kufirin grek, duke çuar në përleshje me rojet kufitare greke. /Telegrafi/