LAJMI I FUNDIT:

Vdes një 45-vjeçar nga Suhareka pas përleshjes me thika në Itali

Vdes një 45-vjeçar nga Suhareka pas përleshjes me thika në Itali

Një 45-vjeçar nga Suhareka ka vdekur pas një përleshje me thika që ka ndodhur të mërkurën mbrëma në Treviso të Italisë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka bërë të ditur se në përleshje janë përfshirë edhe disa qytetarë tjerë të kësaj komune.


“Ka ndodhur një përleshje në Trevisto të Italisë mes qytetarëve tonë, pra të Komunës së Suharekës. Një ka mbetur i vdekur i moshës 45-vjeçare. Ka të lënduar, por nuk kam informacione më shumë”, ka thënë Muharremaj.

Sipas mediumit italian TGCOM24, viktima është goditur disa herë me thikë dhe për shkak të plagëve nuk ka arritur që të mbijetojë. Ndërsa, bëhet e ditur se të plagosur kanë mbetur disa persona që janë përfshinë në përleshje.

Nuk dihen ende arsyet e kësaj ngjarje, megjithëse nuk përjashtohet që të ketë lidhje me një rrahje të ndodhur pak ditë më parë në afërsi.

Disa dëshmitarë thuhet se kanë parë përpara përplasjes, një furgon nga i cili kanë dal një grup njerëzish, një element që shton dyshimet se konfliktet kishin nisur më parë. /Telegrafi/