LAJMI I FUNDIT:

Përkujtohet dramaturgu Et’hem Haxhiademi që u arrestua si “armik i popullit”

Përkujtohet dramaturgu Et’hem Haxhiademi që u arrestua si “armik i popullit”
Et'hem Haxhiademi

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kujtoi dramaturgun shqiptar Et’hem Haxhiademi, i cili ndërroi jetë në burgun e Burrelit.

“Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte e Et’hem Haxhiademit
Lexo po ashtu “Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte e Et’hem Haxhiademit

Haxhiademi (1902-1965) lindi në Elbasan më 8 mars 1902. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, u arrestua si armik i popullit dhe mbështetës i Ballit Kombëtar. U dënua me vdekje, dënim që iu zëvendësua me burgim të përjetshëm që e kaloi në burgjet e Elbasanit, Gjirokastrës, për ta përfunduar në Burrel.


Sipas kujtimeve të Makensen Bungos, poeti, tragjediani, anëtari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, profesori i Normales së Elbasanit, Et’hem Haxhiademi, pas torturave “ishte dobësuar e tretur, ishte kërrusur dhe mezi ecte”.

“Ishte transformuar, që të vinte keq ta shihje. Kur e kthyen në Elbasan për ta gjykuar, nuk e njoha. Ishte plakur shumë”, ka thënë ai.

Bungo e sjell Haxhiademin përmes kujtimeve të At Konrad Gjolajt, që jetoi me të në burgun e Burrelit: “Kam ndejë gjashtë vjet me të. Shumë i sjellshëm. Ishte me parime moderne. Aspak fanatik, jofetar. Kishte dijtë me i ba ballë ‘krymave të burgut’. Kishte shoqëni të gjanë dhe konsiderohej prej të gjithëve zotni. Ashtu ishte. Nuk gabonte kurrë kur i ndante njerzit ndër të kulturuem dhe të pa kulturë. Ishte qefli diskutimesh në të gjitha fushat dhe e kalonte kohën gjithmonë tue lexue, bile edhe shtrimë ratë. Diskutimet i kishte koncize dhe me logjikë. Pranonte gabimet e dinte edhe me lypë të falun, gjithmonë tue u bazue tek e drejta.”

Themeluesi i tragjedisë shqiptare me veprat “Ulisi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”, njohësi i mirë dhe përkthyesi në burg për gati 20 vjet i greqishtes së vjetër, latinishtes, gjermanishtes, turqishtes, intelektuali i dalluar për kulturën klasike, mbylli sytë në Burrel, më 17 mars 1965. Ende sot nuk i dihen eshtrat.