LAJMI I FUNDIT:

Heroi Hazir Berisha – një histori brezash në luftën për liri

Heroi Hazir Berisha – një histori brezash në luftën për liri

Kujtimet për luftën nuk shuhen kurrë, por kur përkujtohen të rënët për lirinë që e gëzojmë, ato bëhen edhe më të forta.

Ishte 29 prilli i vitit 1999, një ditë e zakonshme lufte – Aleanca Veri-Atlantike ( NATO), tashmë ia kishte mësyrë caqeve serbe në fabrikën e Ferronikelit. Oshtima e avionëve dhe bombave që binin aty, jepnin ndjenjë pasigurie dhe në anën tjetër gëzimi, pasi, disi kuptohej se aleatët po sulmonin armikun serbo-sllav.

Por, ky gëzim nuk do të zgjaste shumë, pasi të nesërmen në mëngjesin e hershëm të 30 prillit, në shenjë hakmarrjeje, ushtria serbe kishte bërë një rrethim të hekurt në fshatin Vërboc të Drenicës, duke bërë kështu që një vend të qetë kryesisht me popullatë civile ta shndërronte në arenë të vrasjeve pa mëshirë.

Atë ditë, krismat e armëve vazhduan pareshtur, duke vrarë kështu 40 dëshmorë dhe 275 martirë të fshatrave Vërboc, Shtuticë, Polluzhë, Tërstenik, Gllobar, Dashec, Baks, Gllanasellë dhe fshatrave përreth.

Po atë ditë, në vend-rrethimin e Vërbocit, në malin e fshatit ndodheshin dhe ushtarë të Brigadës 114, Fehmi Lladrovci. Ndër ta edhe Hazir Berisha, i cili ra heroikisht duke luftuar kundër forcave serbe.

Për luftën e Vërbocit, me forcat serbe flasin ushtarë të UÇK-së, bashkëluftëtarë të Hazir Berishës, si dhe dhjetëra civilë të cilët rrëfejnë momentet e betejës dhe çarjes së kordonit për të shpëtuar nga vend-rrethimi.

Si kishte rrjedhur ngjarja?

Hazir Berisha, Shaban Berisha dhe Elhami Hajdari, me 30 prill të vitit 1999, ndodheshin në Vërbovc. Të tre, ndër ushatrët të Brigadës 114, pasi aty ishin edhe ushtarë të tjerë, përfshirë komandanin Ilaz Kodra, i cili ra po atë ditë duke luftuar kundër forcave serbe.

Ata dilnin çdo ditë bënin roje dhe vëzhgonin situatën në kodrën e Vërbovcit.

Në mëngjesin e hershëm të 30 prillit, Haziri kishte dalë më herët për të vëzhguar – pas lajmërimit se tashmë fshati i tërë me malet përreth ishte mbushur me forca serbe, me të bashkohet edhe Shaban Berisha…., dhe më pastaj edhe Elhami Hajdari nga Dobrosheci.

Siç rrëfen Shabani, pas takimit, në vazhdimësi të tre kanë biseduar që të pozicionohen në një vend të caktuar pasi ishin të armatosur, dhe kishin vendosur që aty të bëjnë luftë frontale.

“Jemi taku dhe kemi bisedu me bacën Hazir dhe Elhamiun. Kemi ecë përmbi vendin “mbi plepat” e fshatit, Aty jemi pozicionuar në një vend, jo shumë të përshtatshëm, pasi pjesa ku kemi qëndru u kanë gurishte, dhe komplet e hapun. Mali kishe nis me mugullu…..”, thotë Shabani.

Por, pas tyre ndodheshin shumë civilë, të pambrojtur.

Siç thotë bashkëluftëtari Elhami Hajdari, popullata civile qëndronin si të ulur po në atë vend, prapa tyre.

Ndër ta edhe Naser Berisha, nga fshati Gllanasellë (Shkabë).

Ai tregon se si Haziri i kishte dhënë kurajo atij dhe shumë personave që gjendeshin prapa tyre.

Pasi kishte shumë civilë, Haziri në bisedë e sipër kishte kërkuar që të ndahen dy grupe, për të menaxhuar më mirë situatën.

“Jemi kanë shumë civilë, dhe nuk kemi ditë se kah me ia mbajtë, Haziri na ka dhanë gajret. Mos u tutni, kena me shkrep plumin e fundit. Na ka mbajtë me shpresë. E kujtoj si sot dhe nuk do t’i harroj kurrë fjalët e tij në ato momente që fishkëllenin plumat mbi kokat tona. Na çka jemi të armatosur ta bëjmë një rreth dhe të ndahemi në grupe, që t’i mbrojmë civilët. Sa të kemi monicion, shka i shkinës nuk ka me ardhe ngat”, tregon ai.

Grupi i parë me civilë që ndodheshin prapa ushtarëvë të UÇK-së, me 30 prill:

Lutfi Berisha, Ibush Berisha, Lah Berisha, Arsim Berisha, Isaj Berisha, Musajë Berisha, Armend Berisha, Mensur Berisha, Avni Lladrovci,  po ashtu disa të tjerë nga Qirezi dhe Kozhica, Rizahu, Rrahimi e Mehmeti, Rexhep Morina nga Çikatova, dëshmirarë të ofenzivës së Vërbovcit)…

Grupi u dytë ishte i përbërë nga Lumni Berisha, që ishte i armatosur, dhe të tjerët civilë: Musli Berisha, Naser Berisha, Xhevdet Lladrovci, Fatmir Lladrovci dhe persona të tjerë që iu ishin bashkangjitur, kishin vazhduar tutje, duke u larguar nga treshja e UÇK-së.

Gjatë krismave të armëve nga më të ndryshmet që nuk ndaleshin kurrë, në një moment të caktuar siç tregon Shabani dhe Elhamia, tashmë në gatishmëri prisnin momentin që dhe aty të shkrepeshin armët e tyre.

 Kjo dhe ndodhi!

“Aty u zbrazën karikatorë të tërë më fishekë, e po ashtu u hodhën granata dore”.

“Nga plumbat ka pasur ushtarë serbë të vrarë e të plagosur. Kanë bërtitur në gjuhën serbe, pasi u zunë në befasi. Nuk e dinin se ishim të armatosur”, rrëfehet ngjarja.

“Haziri, Shabani e Elhamia, gjuanin pa pushim, shihej tym e ndjehej erë baruti, nga shkrepja e armëve”.

Nga luftimet, thyhet kordoni dhe shumë civilë që ndodheshin aty depërtojnë në fshatin Gllanasellë.

Ata tregojnë se nga luftimi që ishte zhvilluar aty, ia kishin dalë mbanë që t’i shpëtonin plumbave.

***

Hazir Berisha, përveç Betejës së Vërbovcit, kishte luftuar edhe në ofensivën e 22 shtatorit në Gradinë, nën komandën e Fehmi Lladrovcit, ku edhe ishte plagosur. Po ashtu, Haziri kishte qenë pjesë e luftimeve edhe në Betejën e Hadës.

Dëshmori Hazir Berisha, do të mbahet mend si njeri i urtë, me fjalë pak e vepra shumë. Do të mbahet mend e do të kujtohet përjetësisht si atdhetar, ashtu siç i kishte babën, babëgjyshin e tërë trungun familjar (Laholli).

Historia brez pas brezi e familjes Berisha

Hazir Berisha u lind në 1946 në Gllanasellë.

Ai rrjedh prej një familje atdhetarësh, të cilët brez pas brezi, luftuan kundër okupatorit serb.

Përkushtimin dhe dashurinë për atdheun e kishte mësuar që në fillet e rinisë, pasi babi i tij Brahim Luta dhe babëgjyshi Lutë Gllanasella, ishin ndër luftëtarët kyç në Drenicë.

Asokohe, ata luftonin në vazhdimësi nën komandën e Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës. Lufta e tyre, është e gravuar fort në librat e historisë shqiptare.

Brahim Luta (Babai i Hazirit)

U lind në vitin 1919 në Gllanasellë. Ishte komandant i Divizionit të II-të, të Ibrit si dhe bashkëluftëtarë i Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës.

Brahim Luta ka qenë pjesëmarrës në shumë beteja kundër forcave serbo-sllave.

Gjatë vitit 1941 mobilizohet nën komandën e Mehmet Gradicës, i cili ishte njeriu më i afërt i tij.

Bazuar në shkrimet historike, Brahimi kishte marrë pjesë në të gjitha betejat të cilat ishin zhvilluar nën komandën e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Brahim Luta, si komandant i shquar – përmendet aksioni “Ura e Pesrtovës”.

Sipas citimeve në librat e shkruar për heronjtë, në betejën e Tërstenikut, pas luftimeve disa orëshe, plagosen rëndë, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica edhe Xhemajl Zeqiri (Berisha), i cili nuk i ishte ndarë asnjëherë Mehmet Gradicës. Brahim Luta me ushtarët tjerë nuk i ndalin luftimet kundër forcave serbe… Komandën e luftimeve e merr Rexhep Xheli, dhe më pas arrijnë të zhbllokojnë rrethimin dhe vazhdojnë në drejtim të Gllogocit (Drenas), së bashku me komandantët e plagosur.

Shaban Polluzha, ishte i plagosur rëndë, dhe në afërsi të lumit Bresillë (Çikatovë e Vjetër), nga plagët e marra vdes.

Rexhep Xheli dhe Brahim Luta që me vete e kishin komandantin tjetër të plagosur, Mehmet Gradica, vazhdojnë rrugën për në fshatin Dobroshec (Dritan), në afërsi të shkollës së fshatit, ku edhe ai vdes nga plagët e marra.

Pas këtyre ngjarjeve, me mobilizimin e ushtarëve vazhdojnë rrugëtimin në Shalë të Bajgorës, në vendin e quajtur (Cicili), ku krijohet rezistencë e armatosur. Pas luftimeve në vitin 1947, nga disa togje të ushtrisë serbo-sllave dhe pas një lufte të gjatë, vritet edhe Brahim Luta me shokë.

Brahim Luta ishte pjesë e kongresit të Ballit Kombëtar, i cili ishte mbajtur në vitin 1946, në vendin e quajtur Kasmaç, po ashtu në kongresin e mbajtur në Lipovicë (Blinajë).

Lutë Gllanasella (Babgjyshi i Hazirit)

U lind në vitin 1899 në fshatin Gllanasellë (Shkabë), në një familje me traditë kombëtare shqiptare.

Ka qenë bashkluftëtarë i Azem Bejtës, ku ishte udhëheqës i Cetës së Kaçakëve, i njohur me emrin “Çeta e Lutë Gllanasellës).

Në librat e historisë shqiptare zë vend të rëndësishëm, ku emri i tij është i lidhur me burimet dhe me të dhënat arkivore për luftën e tij heroike kundër pushtuesit serbo-sllav. Në veçanti duhet përmendur luftën e kaçakëve në vitin 1920 – së bashku me Cetën e tij, luftuan për çlirimin e trojeve shqiptare.

Pas shumë betejave të suksesshme, vlen të përmendet beteja e vitit 1923 – Lutë Gllanasella me Cetën e tij, sulmon stacionin e xhandarmërisë serbe në Cikatovë të Vjetër, ku mbesin të vrarë disa xhandarë serbë.

Në luftimet e rrepta që u zhvilluan në atë betejë, bie heroikisht, Lutë Gllanasella.

Lutë Gllanasella kishte vetëm një djalë (Brahim Lutën), i lindur në vitin 1919 – 1947.

Literatura e hulumtimit:

Dr. Liman Rashiti – Lëvizja Koçake në Kosovë, (1918 – 1928);

Dr. Islam Dobra – Krerët dhe prijësit e Lëvizjes Shqiptare nga Drenica, (1878 – 1948);

Ajet Haxhiu – Shotë dhe Azem Galica, (Tiranë 1976);

Ibrahim Çitaku – Azem Bejta;

Bedri Tahiri – Shotë dhe Azem Galica;

Azem Xani – Lëvizja për Clirim dhe Bashkim Kombëtar, (1941-1945);

Muhamet Mjeku – Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzhës (1991);

Dr. Muhamet Pirraku (Mulla Idriz Gjilani)./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Kronika e Zezë
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori