Perez përjashton mundësinë e nënshkrimit të yllit portugez

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka refuzuar mundësinë e transferimit të mesfushorit portugez Ruben Neves.
Futbollisti 28-vjeçar do të ishte i gatshëm të vishte fanellën e “Los Blancos” që në këtë afat kalimtar, por drejtuesit e klubit madrilen mbeten të palëkundur në vendimin e tyre për të mos ndërhyrë në tregun dimëror.

Pavarësisht se skuadra ka shfaqur disa dobësi të dukshme në pozicione të caktuara, bordi drejtues nuk është i gatshëm të shpenzojë gjatë kësaj periudhe.
Madje, gjatë ditëve të fundit, vetë Florentino Perez ka hedhur poshtë mundësinë e afrimit të një lojtari që mund t’i jepte një shtysë të rëndësishme mesfushës: Ruben Neves.
Sipas burimeve pranë klubit, edhe pse portugezi ka shprehur qartë dëshirën për t’u transferuar në “Santiago Bernabeu”, presidenti i Real Madridit i ka mbyllur derën.

Arsyeja lidhet me rrezikun e një investimi të konsiderueshëm për një lojtar që i përfundon kontrata në qershor, si dhe me paqartësitë rreth përshtatjes së tij të shpejtë dhe efektive në ekipin e parë.
Kështu, Real Madridi vijon strategjinë e tij për afatin kalimtar të janarit, duke shtyrë çdo vendim për përforcime të mundshme drejt afateve të ardhshme. /Telegrafi/






















































