LAJMI I FUNDIT:

Perëndimi të jetë i ashpër me Vuçiqin, të mos ia mundësojë Putinit frontin e dytë në Ballkan

Perëndimi të jetë i ashpër me Vuçiqin, të mos ia mundësojë Putinit frontin e dytë në Ballkan
Aleksandar Vuçiqi dhe Vladimir Putini

Nga. Ivana Stradner dhe Mark Montgomery / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

NATO shënon 75-vjetorin, ndërsa vizioni i madh strategjik i Vladimir Putinit mbetet i patundur: shpërbërja e saj [NATO-s].


I inkurajuar nga përparimet e fundit në Ukrainë, mbetet i lartë rreziku i drejtpërdrejtë për anëtarët e NATO-s – si Polonia dhe shtetet baltike. Megjithatë, ata nuk janë të vetëm. Ballkani, shpeshherë i neglizhuar, është gjithashtu perspektivë e gatshme për aspiratat e Rusisë dhe po bëhet gjithnjë e më i ethshëm dhe më i rrezikshëm. Në kulmin e rrezikut, Britania dhe aleatët e saj mbi një shekull më parë e neglizhuan Ballkanin. Nuk mund të lejojmë ta bëjmë të njëjtin gabim përsëri.

Ambasadori i ShBA-së në NATO ndërmori hapin e pazakontë, duke paralajmëruar këtë javë se Rusia po përdor dezinformatat, sulmet kibernetike dhe taktikat e tjera të ulëta për të “destabilizuar” Ballkanin Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina paraqet një rast i tillë. Tri dekada pasi lufta e shkatërroi atë vend, Serbia – e mbështetur nga miqtë e saj në Moskë – po rindez tensionet etnike duke rrezikuar sigurinë evropiane. Evropa dhe ShBA-ja duhet ta shuajnë zjarrin përpara se ta përfshijë rajonin.

Putini dëshiron luftë në Ballkan
Lexo po ashtu Putini dëshiron luftë në Ballkan

Bosnja dhe Hercegovina përbëhet nga dy entitete autonome – Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republika Sërpska. E para është e populluar kryesisht nga boshnjakët myslimanë dhe kroatë, ndërsa serbët dominojnë në Republikën Sërpska e cila është miqësore me Serbinë e afërt. Këto ndarje etnike prodhuan një luftë të përgjakshme në vitet 1992-1995, që la më shumë se 100 mijë njerëz të vdekur dhe miliona të pastrehë. Konflikti përfundoi vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s, gjë që çoi në një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, zbatimi i së cilës mbikëqyret nga një përfaqësues i lartë i emëruar nga një këshill ndërkombëtar. Një forcë paqeruajtëse e BE-së, EUFOR-i, siguron rendin në kuadër të Operacionit ALTHEA.

Sot, vendi mbetet thellësisht i ndarë. Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik – aleat i Rusisë dhe Serbisë – e ka shtyrë atë në prag të luftës duke kërcënuar se do të shkëputet. Në shtator, Dodiku e ndaloi Përfaqësuesin e Lartë, Christian Schmidt, që të marrë pjesë në takimet zyrtare në selinë presidenciale. Moska dhe Beogradi qëllimisht po i nxisin këto ndarje.

Kështu, më 5 mars, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së paralajmëroi për rrezikun e shtuar për dhunë ndëretnike në Ballkanin Perëndimor. Paralajmërimi nënvizonte “hapat provokues të Dodikut për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe për të siguruar de facto shkëputjen për Republikën Sërpska të tij”. Kjo “mund të nxisë udhëheqësit e popullsisë boshnjake (boshnjakët myslimanë) që të forcojnë kapacitetet për të mbrojtur interesat e veta dhe ndoshta kjo do të shpie në konflikte të dhunshme të cilat mund t’i mposhtin forcat paqeruajtëse”.

Situata u përkeqësua në muajin e kaluar pasi Schmidti vendosi një sërë ndryshimesh në ligjin zgjedhor të vendit, për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dodiku menjëherë e hodhi poshtë “pakon e integritetit” të Schmidtit , ndërsa përsëri kërcënoi se do të shkëputet. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, iu bashkua atij duke postuar një mesazh të koduar në Instagram, duke deklaruar se “ditët e vështira po e presin Serbinë”, për shkak të “kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj interesave jetike të Serbisë dhe të Republikës Sërpska”. Ai shtoi: “Beteja do të jetë e ashpër, më e vështira deri tash. Ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë”.

Gjëja më shqetësuese për qëllimet tona ndodhi në janar kur Dodiku u takua me Vladimir Putinin dhe ripohoi refuzimin e entitetit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për shkak të pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës. Në mars, Dodiku tha se “populli serb do të jetë gjithmonë në anën e rusëve”.

Prandaj, a është për t’u habitur që Rusia po ndez flakët duke përdorur operacionet e informacionit për të nxitur “RSEXIT”-in (që nënkupton shkëputjen e Republikës Sërpska)? Në dhjetor, Putini madje sugjeroi se do të ishte e mundur të fillonte me transmetimin e RT-së, të medias shtetërore ruse në Bosnjë.

Duke mbjellë kaos në Ballkan, Putini synon të forcojë ndikimin rajonal të Moskës, të shkëpusë Evropën nga mbështetja e Ukrainës dhe t’ia japë Putinit një levë mbi fuqitë perëndimore të cilat nuk duan që dhuna të përshkallëzohet. Për Vuçiqin, ndërhyrja në ofertat e Bosnjë-Hercegovinës ndihmon në forcimin e pushtetit të tij në Serbi. Ai gjithashtu ka qasje te Dodiku si mjet pazaresh me Perëndimin, duke e pozicionuar veten si ndërtues i paqes.

Fuqitë perëndimore duhet të merren me këto kërcënime, që tash, para se të jetë tepër vonë. Së pari, Uashingtoni duhet të ndryshojë mënyrën se si sillet me Vuçiqin. Deri sot, nga frika e përshkallëzimit, ShBA-ja është përpjekur të qetësojë liderin serb. Zbutja nuk funksionon. Në vend të kësaj, ambasadori i ShBA-së në Serbi duhet të marrë qasje të vendosur, duke paralajmëruar Vuçiqin e duke i treguar se do të mbahet përgjegjës për çdo përshkallëzim të dhunës. Ndërkohë, Bashkimi Evropian duhet t’i bashkohet sanksioneve të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër Dodikut dhe akterëve të tjerë të cilët destabilizojnë Ballkanin Perëndimor

Për më tepër, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të luajnë rol më aktiv në sigurimin e paqes. Sigurinë e Bosnjës dhe Hercegovinës ia kanë besuar Bashkimit Evropian, duke u mbështetur në misionin ALTHEA për të ofruar paqen dhe sigurinë në vend. Megjithatë, procesi i vendimmarrjes së BE-së është jofunksional dhe i ngadalshëm në veprim; shpeshherë mbahet peng nga vendet si Hungaria të cilat kërkojnë të nxjerrin lëshime nga Brukseli. Në fakt, një gjeneral hungarez drejton aktualisht ALTHEA-n. Prandaj, ShBA-ja dhe Britania e Madhe duhet të udhëheqin një koalicion të vullnetarëve, me vendet kryesore anëtare të BE-së, si Gjermania, Franca dhe Holanda, duke sinjalizuar gatishmërinë e tyre për t’iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë nga Beogradi dhe nga Moska.

Derisa Rusia kërkon të ndryshojë kursin e vet në Ukrainë, Kremlini pa dyshim do të donte të shpërqendronte Perëndimin duke hapur një front të dytë në Ballkan. Putini dëshiron të tregojë se vullneti i tij për të sfiduar Perëndimin është më i madh sesa vullneti i Perëndimit për të rezistuar. Është koha për t’ia bërë me dije se e ka gabim. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Kronika e Zezë
UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Liga e Kampionëve
Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Përfaqësueset
U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

Magazina
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Kalo në kategori