LAJMI I FUNDIT:

Përdorimi jo i duhur i vitaminave apo suplementeve tek fëmijët, sipas Klinikës Zhan Mitrev

Përdorimi jo i duhur i vitaminave apo suplementeve tek fëmijët, sipas Klinikës Zhan Mitrev

Vitaminat E, A dhe D
Në periudhën e dimrit kur fëmijët janë më të ekspozuar ndaj viruseve dhe ftohjeve, prindërit shpesh praktikojnë t’u japin vitamina dhe suplemente për të mbështetur imunitetin tek fëmijët. Megjithatë, duhet të kujtojmë se kjo nuk duhet të bëhet vetë dhe nuk duhet të teprohet sepse mund të ndikojë negativisht në shëndetin e tyre.

Statusi i vitaminave tek fëmijët varet nga shumë faktorë, duke përfshirë: aksesin në ushqimin e duhur, statusin socio-ekonomik, gjenetikën, si dhe origjinën/përbërjen e ushqimit, nga të cilat varet përmbajtja e mikro dhe makronutrientëve. Kjo mund të çojë në konfuzion tek prindërit kur zgjedhin suplementet dietike më të përshtatshme dhe i përdorin ato për kushte të ndryshme.


Ndonjëherë për shkak të mungesës së protokolleve-udhëzimeve në këtë fushë, edhe mjekët mund të përballen me dilemë se çfarë t’u rekomandojnë prindërve. Kjo është veçanërisht e pranishme në fushën e pediatrisë, dhe shpesh ndodh përdorimi i papërshtatshëm I pabalancuar i vitaminave në marrjen e tyre në formë të tepëruar ose të pamjaftueshme.

Kur, pse dhe cilat vitamina?
Është e rëndësishme të dini se kur duhet të bëhet plotësimi i vitaminave tek fëmijët dhe kjo ka të bëj me disa kushte:
Mungesa e vitaminave, për shkak të marrjes së reduktuar ose pranisë së reduktuar të vitaminave në dietë/ushqim,
Aplikimi i dietave restriktive me një sasi të reduktuar të vitaminave,
Sëmundjet dhe gjendjet në të cilat kemi reduktuar ose ri-absorbimin joadekuat e të njëjtës.
Plotësimi i vitaminave konsiderohet si një terapi mbështetëse (shtesë) që shpesh mund të shkaktojë një modifikim të rrjedhës së sëmundjes dhe të përmirësojë rezultatin përfundimtar të saj.
Gjithashtu, vitaminat konsiderohen si pjesë e grupit të suplementeve dietike që përveç vitaminave përmbajnë minerale të shumta, aminoacide dhe acide yndyrore dhe si të tilla krijojnë paqartësi dhe konfuzion në përdorimin e tyre si suplement ushqimor. Me synimin për të theksuar anët e mira të vitaminave, ne shpërfillim efektet e mundshme të këqija të mbidozimit të tyre, të cilat mund të ndodhin lehtësisht gjatë përdorimit pa kontroll, pa rekomandim dhe pa indikacion të qartë.

Për të sqaruar disa dyshime tek prindërit, do të japim një pasqyrë të shkurtër të vitaminave më të përdorura. Përkatësisht, në bazë të studimeve të caktuara, ne do të trajtojmë vitaminat nga dy grupet bazë:

Vitaminat e tretshme në yndyrë /liposolubile: Vitamina A, Vitamina D, dhe vitamina E.
Vitaminat e tretshme në ujë /hidrosolubile: Vitamina C, Acidi Folik, Vitamina B12.
Vitamina të tretshme në yndyrë
Vitamina E (Tocopherol, alfa-Tocopherol) gjendet në vajra bimore, fara, arra, drithëra. Konsiderohet si një antioksidant i rëndësishëm dhe ka një efekt antibakterial. Doza e lejuar e përdorimit është 4-13 mg/ditë, në varësi të moshës. Edhe pse nuk ka efekt të qartë toksik, i dhënë në doza të larta mund të shkaktojë dobësi të muskujve, lodhje, të përziera dhe diarre. Vitamina E e dhënë në doza të larta mbi 1000 mg/ditë mund të shkaktojë gjakderdhje.

Mungesa e vitaminës E tek fëmijët gjendet në keqpërthithjen gastrointestinale si dhe në çrregullimet kongjenitale të përthithjes dhe absorbimit në mëlçi. Shenjat klinike të mungesës së vitaminës E manifestohen si anemi hemolitike, neuropati periferike, retinopati, ataksi, miopati dhe reduktim të përgjigjes ndaj infeksioneve.

Në kushtet e përmendura me lart, plotësimi me vitaminë E është i domosdoshëm edhe kur nuk është plotësisht e sigurt se sa kohë do të jepet dhe cili do të jetë efekti i saj afatgjatë.
Plotësimi i vitaminës E redukton rrezikun e hemorragjisë intraventrikulare dhe retinopatisë tek foshnjat e lindura parakohe, por jo tek foshnjat ekstremisht parakohe.

Megjithëse vitamina E mendohet se ka një rol antioksidues dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kronike dhe sëmundjeve kardiovaskulare tek të rriturit, nuk është gjetur asnjë provë që të ketë të njëjtin efekt në popullatën pediatrike. Megjithatë, sipas studimit të Goldenstein, vitamina E ka reduktuar rrezikun kardiovaskular tek një nëngrup specifik i popullatës diabetike me një gjenotip specifik.

Kohët e fundit, vitamina E është përdorur në trajtimin e steatohepatitit joalkoolik dhe parametrat laboratorikë kanë treguar një përmirësim të enzimave të mëlçisë.
Ka më shumë studime që shqyrtojnë efektin e vitaminës E në rastin e sëmundjeve të karakterizuara nga hemoliza. Një efekt pozitiv është arritur tek pacientët me beta talasemi duke ulur stresin oksidativ të organeve të prekura.

Vitamina A
Vitamina A i përket grupit të retinoideve të cilat janë vitamina të tretshme në yndyra, duke përfshirë retinalin dhe retinil esterin. Gjendet tek ushqimet me origjinë shtazore, por edhe në fruta dhe perime që përmbajnë karotenoidë, të cilët janë prekursorë të vitaminës A. Metaboliti më i rëndësishëm i vitaminës A është acidi retinoik, i cili përmes receptorëve bërthamorë ndryshon dhe modulon rrugët e transmetimit të sinjalit. Kështu, vitamina A është thelbësore për shikimin adekuat, funksionimin e muskujve dhe përgjigjet e mira imune. Doza ditore e rekomanduar për popullatën pediatrike është 200-500 mikrogramë, në varësi të moshës.

Mbidoza (toksiciteti akut) e vitaminës A shkakton nauze dhe të vjella. Në rast të toksicitetit kronik, shfaqen ndryshime në lëkurë, flokë dhe thonj, të ndjekura nga vlera të çrregullta të enzimave hepatike. Vitamina A është toksike kur jepet gjatë shtatzënisë, mund të shkaktojë defekte tek foshnja në lindje. Dhimbja e kokës dhe hipertensioni intrakranial mund të jenë simptoma të intoksikimit akut ose kronik të vitaminës A.
Në vendet në zhvillim, mungesa e vitaminës A është shkaku kryesor i humbjes se shikimit tek femijet.

Roli i vitaminës A në sistemin imunitar është ende i debatuar, por disa studime shkencore tregojnë një rritje të incidencës së sëmundjes dhe vdekshmërisë gjatë infeksioneve te fëmijët me mungesë të vitaminës A. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, marrja e vitaminës A është ende e nevojshme tek fëmijët e moshës 6 muajsh deri në 5 vjeç në vendet në zhvillim. Roli i vitaminës A është përmendur dhe theksuar gjithashtu në vendet në zhvillim në rastet e diarresë dhe lisë. Në rastin e lisë (skuqja infektive), Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon marrjen nga goja të vitaminës A në një dozë prej 30 mg për 2 ditë, tek fëmijët nën 2 vjeç.

Foshnjat e lindura para kohe kanë nivele të ulëta të vitaminës A në lindje, por nuk ka studime të mjaftueshme për të mbështetur dhënien intramuskulare të vitaminës A. Vitamina A është shqyrtuar më tej për efektin e saj në reduktimin e rrezikut të kancerit tek të rriturit, pa gjetur asnjë lidhje të qartë.
Vitamina A mendohet se ka potencialin për të kontrolluar gliceminë, duke rritur ndjeshmërinë ndaj insulinës, një hormon që kontrollon nivelet e ngritura të glukozës në trup.
Në lidhje me sistemin imunitar dhe rregullimin e përgjigjes imune, besohet se vitamina A luan një rol në prodhimin e limfociteve T si dhe një rol në imunomodulimin e përgjigjes imune.

Vitamina D
Vitamina D është një vitaminë liposolubile që prodhohet tek njerëzit në lëkurë nga kolesteroli endogjen dhe shndërrohet në formën e saj aktive nën ndikimin e rrezeve UVB.
Vitamina D merret nga goja përmes ushqimeve që janë shumë të pasura me formën aktive të vitaminës, si peshku, e verdha e vezës, djathrat me yndyrë të plotë dhe gjalpi. Vitamina D është thelbësore për zhvillimin e duhur të kockave, ajo ruan metabolizmin e kalciumit dhe fosforit dhe lejon riabsorbimin e kalciumit.
Sasia e rekomanduar dietike për vitaminën D është 10 deri në 15 mikrogramë/ditë (1 mikrogram është e barabartë me 40 (IU) Njësi Ndërkombëtare të Vitaminës D).

Nëse vitamina D është mbi dozën e lejuar, mund të prodhojë një efekt toksik duke rritur kalciumin në serum dhe duke shkaktuar kalcinozë renale. Prandaj rekomandohet kontrollimi i niveleve të vitaminës D në serum tek foshnjat dhe fëmijët që marrin vitaminë D për një kohë të gjatë. Mungesa e vitaminës D është më e rrallë dhe shfaqet shpesh tek sëmundjet me përthithje të dobët, sëmundjet e mëlçisë dhe veshkave, gjatë terapive kronike me medikamente si fenitoina, karbamazepina, kortikosteroidet, ilaçet antifungale.

Rekomandohet dhënia e vitaminës D në vitin e parë të jetës, por edhe në kushtet e sipërpërmendura te pacientët e rritur.
Tek foshnjat e lindura para kohe, plotësimi ditor me vitaminë D bëhet në doza më të larta në krahasim me fëmijët e lindur në kohën e parashikuar. Studimet tregojnë efektet e dobishme të vitaminës D në kushtet e diabetit të tipit 2, por edhe diabetit të tipit 1, duke pasur parasysh se vitamina luan një rol në shprehjen e gjeneve dhe jashtë diferencimit dhe proliferimit të qelizave.
Vitamina D ka një efekt të qartë imunomodulues si në imunitetin e lindur ashtu edhe në atë të fituar.

E dhënë në doza adekuate, vitamina D tek njerëzit mendohet se zvogëlon rrezikun e sklerozës së shumëfishtë, artritit idiopatik juvenil dhe tek personat tashmë të prekur nga një gjendje e tillë, ajo zvogëlon rrezikun e përkeqësimit dhe rikthimit. Tek sëmundja Crohn dhe lupusi sistemik, vitamina D redukton ashpërsinë e simptomave. Edhe pse konsiderohet sa ka një rol shumë më të madh në sëmundjet autoimune, ende nevojiten studime të mëtejshme për të monitoruar efektet e vitaminës D dhe veçanërisht shqyrtimet janë të nevojshme tek pacientët me sëmundje të frymëmarrjes dhe astmës, për të cilat ende nuk ka një konfirmim të qartë.

Në klinikën tonë janë në dispozicion analizat për të ekzaminuar praninë/mungesën e vitaminave, natyrisht në përputhje me rekomandimeve të mjekëve tanë pediatër. Për të rezervuar terminin tuaj, telefononi në qendrën tonë të kontaktit në 02 3091 484

Artikull i sponzorizuar

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori