LAJMI I FUNDIT:

Perdja e Hekurt e rrëzuar nga Izraeli

Perdja e Hekurt e rrëzuar nga Izraeli

Lufta e 6 Ditëve e vitit 1967, në të cilën Izraeli shkatërroi fqinjët e tij arabë, i dha njëherazi goditje edhe forcës ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe satelitëve të tij të Traktatit të Varshavës.

Dy aeroplanë Vautour u ngritën nga Aeroporti ‘Ramat David’ në Izraelin verior mëngjesin e 5 qershorit 1967. Secili kishte në bord një sistem elektronik prodhim francez që do të vendoste fatin e përplasjes së afërt midis arabëve dhe herbenjve. Fluturuan nga jugu, drejt Egjiptit, dhe u ngjitën më lart kur arritën Port Said. Duke fluturuar lart e poshtë Kanalit të Suezit, pajisjet elektronike e instaluara tek Vautours shpërndanin një sinjal të fortë që pati një efekt dramatik. Poshtë tyre, operatorët e radarëve dhe të baterive kundërajrore egjiptiane, për çudinë e tyre, panë se ekranet u qenë fikur. Avionët izraelitë ‘Dakota’ dhe ‘Stratocruiser’ që fluturonin aty afër monitoronin aktivitetin e stacioneve të radarëve egjiptianë. Kur u pa qartë se qenë jashtë loje, u dha sinjali i sulmit.

Valë pas vale, bombarduesit izraelitë lëshoheshin mbi aeroportet ushtarake egjiptiane. Flota ajrore izraelite fluturonte në lartësi të ulëta, duke i goditur në shënjestër hangarët e avionëve. Në total, 286 nga 420 avionët e Egjiptit u shkatërruan atë ditë. Pilotët izraelitë proceduan me shkatërrimin e forcave ajrore jordaneze, siriane dhe irakiane. Shpartallimi i ushtrive arabe që pasoi qe i shpejtë dhe asgjësues.

Shpërthimi i luftës së qershorit 1967 midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë qe një replikë e një manovre ajrore që forca ajrore franceze kishte hartuar që të niste betejën me forcat e Traktatit të Varshavës. ‘Mirage IV’, i prodhuar në vitet 1963 e 1966, ishte projektuar që të fluturonte në lartësi të ulëta për të shmangur sistemin sovjetik të radarëve dhe hedhur bomba taktike bërthamore. Një parashutë speciale ishte projektuar dhe i ishte atashuar çdo bombe për ta ngadalësuar në rënie dhe siguruar se nuk do të kërcenin kur të arrinin tokën. Bombat izraelite të hedhura në aeroportet egjiptiane qenë të pajisura njëlloj.

‘Mirage IV’ do të përdorej si maja e ‘force de frappe’ franceze ose “forcë goditëse”. Operacioni “Focus”, emri i koduar i planit të ekzekutuar nga Izraeli me 5 qershor 1967, vendosi teknologjinë franceze kundër pajisjeve sovjetike. E gjithë flota ajrore e Izraelit ishte prodhim francez; sistemet e mbrojtjes ajrore të përdorura nga egjiptianët qenë prodhuar në Bashkimin Sovjetik. Pajisjet franceze performuan shkëlqyeshëm, kurse armët sovjetike dështuan keqas. Për mendjet e Luftës së Ftohtë, implikimi ishte i qartë. Çfarë kishte ndodhur në Lindje të Mesme mund të ndodhte në Evropë. Shpartallimi i arabëve i paraprinte një shpartallimi sovjetik.

Turqit e rinj

Rusi i parë që ngriti preokupim ishte Nikolai Yegorychev, kreu i partisë së rajonit të Moskës. Rasti qe një mbledhje e Komitetit Qendror, ku merrnin pjesë 400 vetë, e cila u mbajt në Sallën Sverdlov të Pallatit të Madh të Kremlinit dy javë  pas përfundimit të Luftës së 6 Ditëve. Leonid Brezhnev, kryetari i partisë, e hapi debatin me një fjalim të gjatë programatik ku shprehej lidhur me politikat që Bashkimi Sovjetik kishte implementuar ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara për të zbutur humbjen arabe. Pasi Brezhnev e përfundoi fjalën e tij, i erdhi radha diskutimeve. I treti në radhë për të folur ishte Yegorychev.

Përveçse se mbante një pozitë të fuqishme, Yegorychev ishte pjesë e një grupi turqish të rinj të njohur si Komsomoltsi, për shkak se e kishin nisur karrierën e tyre partiake në Komsomol. Ata qenë kultivuar për lidership nga Nikita Khrushchev, kryetari i partisë nga 1953 në 1964. Të udhëhequr nga Alexander Shelepin, ish shef i KGB-së dhe një lojtar i madh brenda partisë, Komsomoltsi e tradhëtuan besimin e Khrushchev dhe u bashkuan me kundërshtarët e tij në Kremlin për ta përmbysur. Për ta Brezhnev, njeriu që kishte zëvendësuar Khrushchev, ishte një aparatçik i pangjyrë, thjesht një figurë. Yegorychev e njihte Brezhnev dhe nuk kishte shumë konsideratë për të. Në ditët kur të dy njerëzit po manovronin ta shkarkonin Khrushchev, Yegorychev e kishte parë Brezhnev të qante në mënyrë të pakontrolluar kur mendonte se komploti i tyre do të zbulohej.

Më herët, në prill të 1966, në një fjalim publik, Yegorychev i kish lejuar vetes ta kritikonte Brezhnev për inkurajimin e një kulti personaliteti si i Stalinit dhe se po dështonte në zbatimin e reformave ekonomike aq shumë të nevojshme. Yegorychev ishte gati ta ashpërsonte sulmin e tij në mbledhjen e Komitetit Qendror në qershor të 1967. Fjalimi i tij u mbaj rreth mesditës. Yegorychev e goditi pa mëshirë Brezhnev edhe një herë akoma për vetëpromovim të paturpshëm, të cilin e përshkroi si një “fenomen të deformuar”.

Një situatë shumë e rrezikshme

Yegorychev nisi të sulmojë implementimin e politikave sovjetike në Lindje të Mesme. Ai u ankua se “disa prej aleatëve tanë sillen shpesh në një mënyrë tejet të rrezikshme dhe impulsive. Kjo përfshin njoftimin e papërgjegjshëm të Presidentit Naser se arabët nuk do ta pranojnë kurrë ekzistencën e Izraelit dhe njoftimin, të bërë në Radio Kajro ditën e parë të luftës, se “tani populli egjiptian do t’i japë Izraelit goditjen e fundit vdekjeprurëse”. Yegorychev paralajmëroi se një qasje e tillë mendjelehtë “mund ta çonte botën në një situatë tejet të rrezikshme”. Kriza rajonale si ajo që kishte shpërthyer në Lindje të Mesme mund të fillonin një konfrontim midis superfuqive. Ishte i gatshëm Bashkimi Sovjetik për një gjë të tillë?

Nën Brezhnev, Bashkimi Sovjetik kishte vendosur një theks të madh në sistemet e mbrojtjes antiajrore dhe të radarëve. Miliarda rubla qenë investuar në mbrojtjen e hapësirës ajrore sovjetike. Hedhja e dyshimit në suksesin e këtyre përpjekjeve do të shkaktonin zemërimin e Brezhnev, por kjo ishte saktësisht ajo që Yegorychev po përgatitej të bënte. “Si anëtar i Këshillit Ushtarak të Distriktit të Moskës”, i tha Yegorychev Komitetit Qendror, “unë jam mjafti i preokupuar me faktin se mbrojtja antiajrore e kryeqytetit nuk është mjaftueshëm e besueshme, sistemi ekzistues po bëhet demode; modernizimi i tij nuk po prodhon efektin e dëshiruar dhe, për krijimin e një sistemi të ri, procesi po zvarritet prej shumë kohësh”.

Çdo njeri në sallë e dinte se këto fjalë qenë një sfidë e drejtpërdrejtë për Brezhnev, zotërimi i pushtetit i të cilit akoma nuk ishte i fortë. Akuza se kishte dështuar të kujdesej për sigurinë kombëtare mund të mblidhte ata elementë të partisë që e kundërshtonin atë. Askush nuk e donte nëse kjo qe shenjë për një puç të ri në Kremlin, njëlloj si ai që kish rrëzuar Khrushchev vetëm tri vite më parë. Mos vallë Shelepin dhe grupi i tij i Komsomoltsi po bëhej gati të lëvizte? Yegorychev po fliste në emër të tyre apo po fliste me titull personal? Salla ishte e heshtur sa që nuk dëgjohej as miza: Mund të jetë momenti i duhur për të implementuar vijën e miratuar në Plenumin e Tetorit 1964 dhe për të dëgjuar në një prej sesioneve të ardhshëm – me dyer të mbyllura – një raport lidhur me gjendjen e mbrojtjes së vendit.

Shumica e audiencës e interpretoi këtë si një thirrje për ta vendosur Byronë Politike nën mbikëqyrjen e Komitetit Qendror. Një gjë e tillë ishte e paprecedent. Më parë siguria kombëtare ishte diskutuar vetëm brenda forumit të ngushtë të Byrosë Politike. Teksa Yegorychev po zbriste nga podiumi, salla u mbush me duartrokitje. Tri folësit e radhës, të cilët nuk e dinin nëse Yegorychev e kishte sqaruar paraprakisht fjalimin me Brezhnev, nuk guxuan t’i adresoheshin akuzave të tij. Teksa mbledhja po mbyllej, Shelepin, mizoria e të cilit i kishte siguruar nofkën “Iron Shurik”, e la sallën me Gennady Voronov, anëtar i Byrosë Politike. “[Shelepin]”, kujton më pas Voronov, më tha se ishte goxha fjalim, apo jo Gennady Ivanovich?”. Unë ja ktheva: “Ashtu ishte”. Kur Voronov pa prapa shpatullës së tij, mbeti si i ngrirë kur pa vetë Brezhnev që po rrinte prapa tyre, duke përgjuar bisedën e tyre.

Mrekulli! Leninist!

Nuk qenë vetëm Shelepin dhe Voronov të kënaqur nga sfida e Yegorychev. Anastas Mikoyan, i cili qe shtrënguar nga Brezhnev të dorëhiqej nga Byroja Politike pse qe me Khrushchev në 1964, ngriti një dolli për shëndetin e Yegorychev gjatë një darke menjëherë më pas, duke e quajtur fjalimin e tij “Mrekulli! Leninist!”. Mikoyan e kuptonte se çfarë ishte në lojë. Në fillimet e 1966, njerëz nga kapmi i Shelepin kontaktuan Mikoyan. Ata i kërkuan atij që t’u bashkohej në luftën për të larguar kontrollin e partisë nga Brezhnev. Mikoyan u përgjigj duke ju thënë se nuk kishte asnjë interes në mbrojtjen e Brezhnev.

Megjithatë, sipas pikëpamjes së Mikoyan, lëvizja korrekte për Komsomoltsi do të ishte paraqitja e një programi të hollësishëm në një mbledhje të Komitetit Qendror. Atëhere ai do të vendoste nëse do t’i mbështeste ose jo. Ajo çka Yegorychev kishte bërë me 20 qershor mund të intepretohej si një përgjigje për kërkesën e Mikoyan. Brezhnev dhe Yegorychev patën një bisedë jo të lehtë atë natë. Brezhnev i tha: “E dini, Kol [shkurtim i Nikolai], ushtarakët thonë se ju nuk mendohet se e dispononi këtë dije teknike”. Yegorychev ia ktheu: “E dini çfarë, Leonid Ilich? Ushtarakët tuaj, kur ju nisni të flisni me ta, ata shurrojnë në brekë aq shumë sa që ajo arrin deri në xhepat e mi”. Brezhnev i tha: “Shiko, Kol, unë nuk do ta ngre çështjen e largimit tuaj nga Komiteti Qendror”.

Yegorychev argumentoi se Brezhnev nuk kishte asnjë arsye për ta bërë, përderisa ai nuk kishte shkelur asnjë ligj apo nuk kishte argumentuar kundër vendimeve të partisë. Brezhnev nuk ja pëlqeu përgjigjen dhe ja ktheu: “E thamë dhe do të përjashtojmë!”. Yegorychev i tha Brezhnev se në këtë rast atij do t’i duhej t’ia kthente. Menjëherë Brezhnev u tërhoq: “Më keqkuptuat. Unë të pëlqej shumë”.

Brezhnev gënjente. Dritat qëndruan ndezur deri vonë në selinë e partisë në Sheshin e Vjetër të Moskës, teksa Brezhnev dhe aleatët e tij mendonin për mënyrën më të mirë që t’i përgjigjeshin kërcënimit të paraqitur nga Komsomoltsi. Përgatitjet për një sulm ndaj Yegorychev vazhduan gjatë gjithë natës. Dmitry Ustinov, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror dhe një besnik i Brezhnev, mori kontrollin. Ustinov ishte në një gjendje shpirtërore luftarake dhe bërtiti: “Do ta bëjmë pluhur atë dreq Yegorychev!”. Komiteti Qendror ishte për t’u mbledhur të nesërmen dhe kampi i Brezhnev përgatiti një pritë politike.

I pari në podium mëngjesin e së nesërmes qe Sharaf Rashidov, Sekretari i Partisë Komuniste Yzbeke, i cili tha: “Nikolai Gregorovitch [Yegorychev], sistemi i mbrojtjes ajrore nuk fillon në Moskë, por në Tashkent”. Ky argument – që mburoja e Moskës shtrihej në kufijtë e Bashkimit Sovjetik u përsërit nga sekretarët e parë të Gjeorgjisë dhe Azerbajxhanit. Të gjithë folësit u përpoqën ta portretizonin Yegorychev si një budalla që nuk kuptonte asgjë nga mbrojtja ajrore. Ky sulm qe aq i ashpër sa që Yegorychev ju desh të kërkonte leje të përgjigjej. Me t’ju dhënë fjala, Yegorychev kërkoi falje për dyshimin e ngritur rreth përpjekjeve që Brezhnev dhe Byroja Politike po bënin në mbrojtje të atdheut. Më pas erdhi fjalimi i Brezhnev.

Kryetari ia kushtoi fjalën e tij të gjatë, që ishte më shumë se 30 faqe, kritikës së ashpër ndaj Yegorychev. Masa qe e përgatitur mirë. Argumenti i tij u mbështet nga të thirrurat e audiencës, të tila si “Në rregull!” dhe “Shumë mirë!”. Kur Brezhnev e akuzoi Yegorychev se nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, dikush thirri “Turp!”. Pak javë më vonë, Yegorychev u shkarkua nga posti i tij si Sekretar i Parë i rajonit të Moskës. U emërua si zëvendësministër për SMT-të, dukshëm një ulje. Kështu përfundoi orvatja për ta përdorur humbjen në Lindje të Mesme në realizimin e një ndryshimi lidershipi në Kremlin. Megjithatë, shqetësimi dhe vetëdyshimi vazhduan të përhapeshin midis aleatëve të tij të Traktatit të Varshavës. Gjatë ditëve të para të Luftës së 6 Ditëve, paniku goditi rrugët e Polonisë. Një raport i shërbimit sekret raportonte se “në Varshavë furnizimet me artikuj ushqimorë u rritën nga 300 në 1550 ton në ditë; në Krakow, shitjet u rritën nga 35 në 140 ton në ditë; në mënyrë të veçantë, mielli u rrit nga 10 në 80 ton; në Bialystok, shitja e kripës u rrit me 300%, sheqeri me 200% dhe mielli me 140%. Tërheqjet nga llogaritë e PKO-së (Banka Polake e Kursimev) qenë më të mëdha sesa normalisht!”.

Spastrimi polak

Gjatë 18 muajve të ardhshme, 51 hebrenj u spastruan nga partia dhe 150 oficerë hebrenj u shkarkuan nga ushtria, midis tyre 3 gjeneralë dhe komandanti i Forcës Ajrore. Njëri e humbi postin e tij për shkak se u pëshpërit se gruaja e tij ishte hebreje. Oficerët jo hebrenj në ushtrinë polake merrnin pjesë në mbledhjet që “kërkonin largimin e të gjithë individëve hipokritë dyfytyrësh nga postet në aparatin shtetëror dhe atë ushtarak”.

Një student polak, i arrestuar nga policia sekrete në shkurt të 1968, raportoi se hetuesit e kishin pyetur: “E kupton që ne polakët më së fundi duhet ta bëjmë zërin tonë të dëgjohet, sepse për aq kohë që hebrenjtë mbajnë të gjitha postet, nuk do të ishin në gjendje ta dallonin veten”. Nuk pati spastrime të hebrenjve në këtë shkallë në asnjë vend tjetër komunist. Në Gjermaninë Lindore, shumica e qytetarëve nuk e besuan linjën zyrtare. Sipas një raporti të STASI-t lidhur me reagimin e popullsisë ndaj krizës në Lindje të Mesme, shumica thoshin se nuk kishte rëndësi që Izraeli qëlloi i pari. Urrejtja e Naser për Izraelin, thoshin disa gjermanolindorë, dhe vendimi i tij për të mbyllur Ngushticën e Tiran, që kontrollonte rrugën detare midis Izraelit dhe burimit kryesor të tij të naftës, Iranit, kishte shkaktuar luftën. Të tjerë pretendonin se Nasser e ndërmorri këtë hap si pjesë të një plani për eliminimin e shtetit hebre dhe për ta bërë veten udhëheqësin e botës arabe.

Për gjermanolindorët, rezultati i luftës kishte qenë prova se blloku sovjetik ishte më i dobët se NATO. Të zhgënjyer nga mbulimi i njëanshëm i konfliktit nga televizioni shtetëror, shumë shikues u kthyen nga mediat gjermanoperëndimore. Disa punëtorë gjermanolindorë nuk ju bindën hapur udhëzimeve për të nënshkruar peticione solidariteti me vendet arabe. Qeveria gjermanolindore ishte e frikësuar jo vetëm prej opinionit publik, por edhe për balancën e forcës ushtarake.

Një rresht në faqe të parë shkruante se “Gjermania Lindore lehtësisht mund të bëhej një fushëbeteje”. STASI u bë i fiksuar pas “mashtrimit radiofonik” që izraelitët kishin realizuar në Sinai. Në gusht të 1967 ai e këshilloi forcën ajrore gjermanolindore që ta rishikonte konceptin e saj për luftën antiajrore. Në mënyrë të veçantë STASI rekomandonte gjetjen e një zgjidhjeje ndaj sfidës së paraqitur prej avionëve që fluturonin ulët dhe fiksimit të çdo parregullsie në mbulimin me radarë të hapësirës ajrore. Gjithashtu, ai premtonte që të spiunonte intensivisht NATO-n për të gjetur nëse mos ishte duke zhvilluar të njëjtat teknika elektronike që izraelitët kishin përdorur me efekt të tillë shkatërrimtar.

Një raport i ngjashëm i prodhuar nga Ministria e Mbrojtjes bullgare, ishte shumë më pesimist. Kufiri i Bullgarisë me Greqinë ishte i hapur tërësisht dhe nuk kishte njësi të rregullta të mjaftueshme për ta ndaluar një pushtim grek. Inteligjenca bullgare nuk kishte burime njerëzore të besueshme dhe, për pasojë, nuk do të ishte në gjendje që ta lajmëronte ushtrinë përpara një sulmi të befasishëm. Nuk kishte bateri të mjaftueshme kundërajrore për të mbrojtur aeroportet bullgare dhe radarët e prodhimit sovjetik nuk mund t’i kapnin avionët që luftonin më ulët se 150 metra lartësi. I njëjti raport nënvizonte se komanda e përbashkët e Forcave të Bashkuara Ushtarake e Traktatit të Varshavës, e ndodhur në Moskë, ishte e paaftë në koordinimin e aktivitetit të ushtrive evropianolindore.

Detyrë e vështirë

Ndërkohë që po merrej me rivalët e tij të brendshëm, Brezhnev qe orvatur të bindte aleatët e tij të paraqisnin një pozicion të përbashkët. Ai u telefonoi udhëheqësve evropianë gjatë Luftës së 6 Ditëve dhe i azhurnoi ata lidhur me situatën. Bile ai i mblodhi ata për një samit urgjent në Moskë ditën e parafundit të konfliktit. Pavarësisht faktit se njësi të Ushtrisë së Kuqe qenë dislokuar anembanë Evropës Lindore, koordinimi i reagimit nga ana e aleatëve të Moskës rezultoi të ishte një detyrë mjaft e vështirë. Vetëm një vit përpara ngjarjeve dramatike të Pranverës së Pragës, aleanca më e rëndësishme në botën komuniste po shfaqte shenja çarjeje. Samitet e Traktatit të Varshavës qenë bërë jo më pak se 3 herë gjatë gjysmës së dytë të vitit 1967 për të diskutuar luftën. Njeriu do të shpresonte se ideologjia apo strategjia do të ishin çështjet themelore të diskutimit, por, në të vërtetë, udhëheqësit komunistë flisnin për para. Nën Khrushchev, blloku komunist kishte blofuar rëndë lidhur me perspektivat ekonomike ndaj asaj që atëherë quhej Bota e Tretë. Në atë kohë besohej se tregjet e Botës së Tretë kishin një etje të pashuar për mallrat evropianolindore. Në 1967 kjo ishte vënë në pikëpyetje. Një seri grushtesh shteti ushtarake të djathta kishin përmbysur sundues pro-sovjetikë në Indonezi, Algjeri e Kongo dhe kishin hedhur dyshime lidhur me projektin. Tregtia me vendet në zhvillim kurrë në masën që kishin shpresuar sovjetikët. Nga njëra anë qëndronte Gjermania Lindore, e cila ishte entuziaste rreth tregtisë me botën e vendeve në zhvillim dhe ishte e suksesshme në këtë aspekt: midis viteve 1960 dhe 1983 tregtia e saj me vendet në zhvillim u rrit me më shumë se 1000%. Megjithatë, disa vite përpara luftës në Lindje të Mesme, qeveria gjermanolindore arriti në konkluzionin se në vitin 1970 ngarkesat sovjetike e qymyrit dhe naftës do të dështonin në plotësimin e nevojave energjetike të saj. Kurse në vitin 1965 Gjermania Lindore kishte filluar të planifikonte krijimin e një ‘joint venture’ me kompani në Jugosllavinë e paangazhuar për të importuar naftë nga vendet arabe, sidomos nga Egjipti dhe Iraku.

Lufta e 6 Ditëve e la botën arabe me një ndjenjë mërie të theksuar ndaj mbështetjes amerikane për Izraelin. Egjipti i i ndërpreu marrëdhëniet e tij me Uashingtonin. Kjo kthesë e ngjarjeve krijoi një mundësi të mirë për t’i thelluar lidhjet tregtare midis Lindjes së Mesme dhe Europës Lindore. Gjermania Lindore qe e etur ta shfrytëzonte këtë rrethanë, por u ndesh me një problem serioz. Shumica e vendeve arabe nuk e njihnin Gjermaninë Lindore për shkak të frikës së një reagimi nga ana e Bonit (gjermanoperëndimorët patën premtuar se do t’i ndërprisnin marrëdhëniet me çdo vend që njihte Gjermaninë Lindore).

Walter Ulbricht, udhëheqësi i Gjermanisë Lindore, besonte se mënyra e vetme me anë të së cilës vendi i tij mund ta kalonte këtë pengesë ishte bashkëpunimi me pjesën tjetër e bllokut komunist. Ulbricht u bë mbështetësi më i zëshëm i një reagimi të koordinuar ndaj krizës në Lindjen e Mesme. Ai që e ndihmoi ishte Josip Broz Tito, Presidenti i Jugosllavisë, një tjetër njeri që kishte besim të palëkundur në efektin fitimprurës të tregtisë me botën e vendeve në zhvillim.

Satelitë skeptikë

Gomulka dhe János Kádár, kryetari i partisë hungareze, nuk besonin që vendet e tyre përfitonin ndonjë gjë nga blerja prej apo shitja në Lindje të Mesme dhe ju kundërvunë kërkesës sovjetike se duhet të kontribuonin në përpjekjen për të ringjallur ushtritë arabe. Antonín Novotný, Presidenti i Çekosllovakisë, qe njëlloj skeptik. Gjatë viteve ’50 e ’60, vendi i tij kishte qenë pararoja e përpjekjeve sovjetike për të penetruar botën e vendeve në zhvillim. Çekosllovakia shiste armatime anembanë Afrikës dhe Lindjes së Mesme.

Megjithatë, në vitin 1967 çekëve u kishte ardhur në grykë nga paaftësia e vendeve në zhvillim për të shlyer borxhet e tyre. gjatë një samite që u mbajt në Varshavë në korrik të 1967, të tre personat e mësipërm patën shansin që të shpalosnin opinionet e tyre. Gomulka theksoi se: Asistenca e mëtejshme ushtarake [për vendet arabe] është pakuptim, përderisa nuk kanë njerëz që të mund t’i përdorin armë të tilla. Nuk mund të lejojmë që armë sovjetike të bien në duart e Izraelit për herë të tretë. Kadar qe jo më pak i rreptë në kritikën e tij: “Ne i japim ndihmë ekonomike dhe ushtarake Ganës – ajo dështon. Ja dhamë Indonezisë – ka dështuar. Ua dhamë vendeve arabe – edhe ato dështuan”.

Rumania e Nicolae Ceauscescu rezultoi më refraktarja. Në 1962, Khrushchev u tha rumunëve se ata duhet t’i harronin ëndrrat e tyre për ndërtimin e një industrie të rëndë të tyre, si ajo e Çekosllovakisë apo Gjermanisë Lindore, dhe duhet ta kënaqnin veten me furnizimin e bllokut komunist me energji – Rumania është e pasur me gaz natyror dhe naftë – dhe artikuj bujqësorë. Po atë vit, Bukureshti kuptoi se politika e lojës me zjarrin e Khrushchev në Kubë mund ta kishte bërë atë objektiv të një sulmi amerikan. Rumunët premtuan të merrnin një pozicion të pavarur në Luftën e Ftohtë dhe t’i diversifikonin partnerët tregtarë të tyre. Në pragun e Luftës së 6 Ditëve, Rumania nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik me Izraelin dhe u anua nga Uashingtoni, duke kërkuar statusin e “vendit më të favorizuar” nga amerikanët. Siç i shpjegoi më 23 qershor Kryeministri rumun Ion Gheorghe Maurer Sekretarit amerikan të Shtetit Dean Rusk: Diversifikimi i marrëdhënieve ekonomike të Rumanisë është një garanci e sovranitetit dhe e pavarësisë së Rumanisë. Zhvillimi i pavarur ekonomik i mundëson asaj që të jetë zonjë në shtëpinë e saj.

Rumania refuzoi që t’i priste marrëdhëniet me Izraelin. Në mënyrë të ngjashme, Hungaria i dërgoi një ndihmë tejet minimale Egjiptit. Lufta në Lindje të Mesme nxorri në pah mungesën e unitetit në bllokun sovjetik, frikën e udhëheqësve të tij se po mbeteshin prapa Perëndimit ekonomikisht e ushtarakisht dhe përbuzja që njerëzit e thjeshtë kishin ndjerë kundrejt sistemit komunist. Për momentin, e gjitha kjo mbeti e fshehur për sytë e Perëndimit. 20 vjet më vonë, i njëjti grup faktorësh do të shkaktonte rënien e komunizmit në Europën Lindore. /Bota.al/

(Guy Laron është lektor në Departamentin e Marrëdhënieve Ndëkrombëtare të Hebrew University në Jeruzalem dhe autor i librit “The Six-Day War: the Breaking of the Middle East”).

Në trend Botë

Më shumë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Dodik kërkon dëbimin e ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë nga Bosnja

Dodik kërkon dëbimin e ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë nga Bosnja

Bosnja
Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Evropa
Putin me deklaratë qesharake: Jemi sulmuar, prandaj po luftojmë

Putin me deklaratë qesharake: Jemi sulmuar, prandaj po luftojmë

Evropa
Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Amerika
Rasti i pazakontë në Kroaci - pensionisti zbret nga një ndërtesë, por jo përmes shkallëve

Rasti i pazakontë në Kroaci - pensionisti zbret nga një ndërtesë, por jo përmes shkallëve

Kroacia
Kalo në kategori