Jeta studentore e Dhimitër Shuteriqit Jeta studentore e Dhimitër Shuteriqit

Nga: Dhimitër Shuteriqi (shënime të pabotuara, shkruar më 4 dhjetor 1969)

Rikopjoj disa shënime që kam marrë vjet në Durrës në disa copa letrash.

***

Nga brezi im kam çmuar (në kohën kur nisën të botojnë, në vitet 30): Migjenin (shumë), Petro Markon (gjithashtu), Chri-Chrinë (disi), Ramë Voglin e Nexhat Hakinë e Shevqet Musaranë (diçka), Aleks Çaçin, Andrea Varfin, Sterjo Spassen (pak), Kapën, Kokonën, Haxhiademin (hiç). Haxhiademin e kam gjykuar artificial. Më pëlqeu Koliqi, shumë Lazgushi dhe Kuteli, disi Noluguzi. Fishta më prekte fort. Naimi si askush; fort edhe Çajupi, De Rada, Dara, Serembe, por jo dhe kaq akoma Mjeda, të cilin unë çmova megjithatë më shumë se shokët e mi, Haki Stërmilli, nuk më tërhoqi. Asdreni më la thuase të ftohtë, Prenushin e injorova, Lame Kodrën e kam pëlqyer, por nuk më ngrohte sa do të kisha dashur. Gramenon dhe Postolin i kam lexuar si të gjithë. Kam adhuruar Nolin, Konicën gati s’e kam njohur, ose e njoha tepër pak.

Reklama
Reklama

***

Gratë më kanë rënë në qafë, kurse unë jo. Kam vuajtur nga njëfarë timiditeti ndaj tyre, në mos droje. Kur më janë vardisur, nuk kam ngurruar. Mendoj se gratë janë po aq “të pabesa” sa edhe burrat, ndonëse përmbahen më shumë – i përmban syri i shoqërisë. Përpara Kantit do të ishin njësoj fajtorë, se “nieti” s’u mungon, ndonëse mund ta realizojnë shumë më pak se burrat. E kanë në instinkt që të kërkojnë të pëlqehen, të përkëdhelen, të bëjnë naze. Zbulojnë mishrat pa ardhur mirë pranvera dhe u pëlqen. Që te syri e te dora, natyrisht, rruga është e gjatë, po, por kur paraqitet rasti, ajo shkurtohet në mënyrë aq të papritur, sa nuk ta pret mendja.

Reklama

S… e kam dashur për përkëdheljet, po jo me pasion. Edhe ajo po ashtu? Blansha qe grua plot gojën dhe e kam çmuar shumë si njeri e si femër, por nuk e desha me pasion, si më deshi. Dashurinë e madhe e njoha me Myneverin. Për një grua si kjo, mund të kishe lënë kokën qëkuri. E zgjata eksperiencën e dashurisë dhe zgjodha. Është e vetmja rrugë ndofta për të jetuar i lumtur në çift.

Reklama

S’jam gjeloz. “Tradhëtinë” që do të më bënte gruaja haptazi, do ta falja; fshehurazi – jo. Fshehurazi fillon pabesia.

Do të kisha qenë fatkeq po të mos kisha pasur fëmijë. Kjo më cvordhi nga Blansha, kjo do të më kishte cvjerdhur nga S…, prapë kjo nuk do të më kishte cvjerdhur nga Myneveri.

Reklama

Im atë vdiste për fëmijët, nëna ime jo. Unë po çmendem edhe pas tim nipi.

***

Do të kisha qenë udhëtar i përjetshëm. Zbulova se nuk ka vend që s’është i bukur.

Më ka pëlqyer natyra, veçimi, soditja, jo rrëmuja e qytetit, shokët e tepërt, panairet, ahengjet.

Më ka pëlqyer mali më shumë se deti. Isha njohës i florës alpine. Për një “edelweis” desh kam lënë tkokën. Për një “rodedendron” apo “lys martagon” kam ecur edhe shtatë orë e tetë.

Reklama

Mal më të bukur se Tomori nuk njoh – ndofta sepse jam shqiptar!

Kam qenë gjithmonë krenar se linda në Shqipëri dhe e kam pasur tmerr të mos vdes këtu. M’u paraqitën raste të mos kthehesha – u ktheva!

Reklama

***

Më pëlqen të vishem mirë. Tani, në pleqëri, po vishem keq. Kështu edhe për të ngrënët.

U bëra njohës i kuzhinave, i gjellëve, ndonëse student i varfër. Më kanë pëlqyer shumica e kuzhinave, po jo ç’gatuajnë rusët, çekët, polakët. Serbët e bullgarët i ka mësuar Turqia të hanë. Ëmbëlsirat s’i kam dashur, as pijet. Po kam pirë një okë raki dhe s’jam dehur.

I kam admiruar gjithmonë “ashikët” (im atë qe i tillë). Karasevdallinjtë – jo.

Komoditetin e kam dashur minimal. As qilima as mobilje të luksit. Kam dashur të kem një shtëpi timen, ndërtuar sipas qejfit tim, projektuar prej meje, jo për instinkt të pronës, po për një dhomë pune e biblioteke, ku të punoj e të mos më shkojë mendja të dal, dhe për një vatër e oxhak.

Reklama
Reklama

***

Pasurinë s’e kam çmuar asnjëherë. Paranë s’kam ditur ta ruaj. Të mos ishte Myneveri, do të isha pa brekë.

***

Midis njerëzve të thjeshtë, veten e kam gjetur zakonisht mirë; midis të mëdhenjve – rrallë. Të thjeshtët gjithmonë i kam dashur e më kanë dashur – të mëdhenjtë zakonisht më kanë çmuar.

Ndër punëtorët, në zemër më ka hyrë minatori – ndër fshatarët, malësori. Për ta kam pasur e kam dëshirë të shkruaj. Mirditori më ka magjepsur, si dhe shpataraku, dhe s’po lahem dot me ta.

***

Zakonisht hesht e dëgjoj, po kur nis e flas, mund të të shurdhoj.

Reklama

***

Kam imagjinuar – që kur vajta në universitet e më zbuluan një “ekstrasistol” – se kam sëmundje. Arrita të kem disa sëmundje, po s’kam njohur dëme të mëdha as nga zemra, as nga mëlçia, as nga endoarteriti, as nga veshkat. “Të tëra të vinë nga nervat”, më ka thënë ka mot Dr. Hoxha në Tiranë, Dr. Hajnali në Budapest, Dr. Milku dhe Perhoni në Bukuresht, Dr. Petrovski e Vishnevski në Moskë. Arrita t’u besoj. Po për shëndetin, edhe pse jam frikur, s’kam pasur kujdes kurrë, veç kur kam rënë në shtrat. Kam punuar pa hesap, gjer në 16 orë e më shumë ditën, kam pirë duhan pa hesap, gjer në 100 gram me llullë, i kam prishur tërë dietat me t’i filluar.

Reklama
Reklama

***

Terjaqi i llullës. I kafes, jo. Dua të shijoj çdo duhan të ri që njoh, andaj edhe s’e pres dot kurrë seriozisht duhanin.

Kumar s’kam lojtur, po mësova shumicën e lojnave, gjer te pokeri e bilardua. Brixh – jo.

***

Mendova se po të jetoj 49 vjeç (“gjysmë shekulli pa një”), boll do të ishte. U bëra 53. S’kam jetuar e do të jetoj plus pra, e kam… qelepir.

***

Pëlqej vërtet vetminë, po më shumë atë çift. Me Myneverin mund të kisha vajtur gjer në fund të botës; vetëm – as gjer në gjysmët.

***

Mërzitem për së gjati, i “këpus lidhjet”. Isha poet, u bëra prozator; studiova folklorin, vazhdova me historinë e letërsisë, për pak mund të jepem vetëm pas historisë. Po nuk do të ma mbante të bëhesha … dramaturg. Kam lindur për kohën e enciklopedistëve dhe më vjen keq disa herë që nuk u bëra kimist (desha të studioj elektrokimi në Grenoble, se kish atje një institut me famë, po im atë s’më la), piktor, botanist (oh! ç’botë e mrekullueshme bimësia!), muzikant, arkeolog … Prapë, kurrë s’kisha menduar se do t’i vihem ndonjëherë punës shkencore. Kisha menduar se do të jem tërë jetën poet (s’ka çudi që të rikthehem përsëri te poezia, te dashuria e parë, më merr malli keq!). Më detyroi koha të bëhem historian i letërsisë, si dhe të merrem me shumë gjëra, po qejfi ma ka pasur po aq.

Reklama
Reklama

***

Kam pasur gjithmonë kurajo civike, po trim fizikisht nuk thom se kam qenë. Sportist – pak a shumë. Për ushtar, sigurisht që nuk linda.

***

Feja më ka mbajtur gjer në moshën 15-16 vjeç me ritet e saj, ku gjeja shumë poezi. Familja ime qe e lidhur dobët me kishën. Babai qe skeptik, nëna praktikonte fare pak.

***

Këmbëngulës në mendime, po zakonisht ha arësye, “thyhem”, sado me vonesë, kur filloj e shoh se s’kam të drejtë.

Nuk jam hakmarrës dhe s’e lejoj hakmarrjen te askush.

S’kam asnjë gram cmire, asnjë derhem nakari.

Njerëzit i dua me shpirt dhe rrezikoj oportunizmin.

Ndjenjën e drejtësisë e kam të acaruar dhe rrezikoj të zihem me shumë vetë, me cilindo, për një gram drejtësi.

Reklama

Kam preferenca, po jo paragjykime. Ky është një virtut që ia çmoj shumë vetes, sa më bën edhe të arësyer, edhe realist, edhe të drejtë, objektiv.

S’jam lajkatar, pale me dy faqe. S’jam as diplomat. Ç’kam, e them bram dhe kjo më dëmton shpesh në jetë.

Nuk duroj të më marrin nëpër këmbë.

Dukem kryelartë, s’jam asnjë grimë.

Si u botua libri im i parë? Si u botua libri im i parë?