LAJMI I FUNDIT:

Për tre muaj deputetët shpenzuan mbi 112 mijë euro për udhëtime zyrtare

Për tre muaj deputetët shpenzuan mbi 112 mijë euro për udhëtime zyrtare

Gjatë tre mujorit të dytë të këtij viti 70 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë shpenzuar 112 mijë e 236 euro e 13 cent në udhëtime zyrtare.

Sipas një raporti nga Instituti Demokratik i Kosovës, nga prilli deri në qershor këta deputetë kanë realizuar 136 udhëtime.


“Në bazë të raportit financiar për tre mujorin e dytë të vitit 2018, të cilën e ka publikuar Kuvendi i Kosovës, shihet se shpenzimet e deputetëve në udhëtimet jashtë vendit janë rritur për 86% krahasuar me tre mujorin e parë të këtij viti.  Në bazë të këtij raporti, vetëm për udhëtime të deputetëve jashtë vendit janë shpenzuar në total 112,236.13 € në 136 udhëtime të realizuara. Janë 70 deputetë të Kuvendit të Kosovës që kanë realizuar udhëtime zyrtare gjatë kësaj periudhe”, thuhet në raportin e KDI-së, përcjell Telegrafi.

Sipas këtij raportit shtetet më të vizituara nga ana e deputetëve janë Shqipëria me 24 udhëtime, Turqia, Gjermania, Franca janë me nga 10 udhëtime, ndërsa në ShBA janë realizuar tetë udhëtime.

“Pjesa më e madhe e buxhetit për udhëtime jashtë vendit është shpenzuar për mëditje dhe bileta të udhëtimit: 41,103.76 € për mëditje respektivisht 40,781.65 € për bileta. Ndërkaq, 27,982.36 € janë shpenzuar për akomodim në vendet që janë vizituar nga deputetët dhe 2,368.36 € në kategorinë e shpenzimeve të tjera”, thuhet në raport.

Sipas KDI-së, në raportin e publikuar, ashtu sikurse në raportet paraprake mungojnë të dhënat lidhur me arsyet e vizitave të deputetëve jashtë vendit dhe datat që tregojnë se sa kanë qëndruar deputetët në një udhëtim të caktuar.

KDI po ashtu thotë se mos publikimi i raportit të detajuar të shpenzimeve ua kufizon vlerësimin e menaxhimit të buxhetit nga ana e Kuvendit.