LAJMI I FUNDIT:

“Për një gjuhë të përbashkët”, rezolutë drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe së Shqipërisë

“Për një gjuhë të përbashkët”, rezolutë drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe së Shqipërisë

Një rezolutë për një gjuihë të përbashkët shqipe i është drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj së Shqipërisë, me vëmendje të posaçme dy kryeministrave, Edi Ramës dhe Albin Kurtit.

Këtë e ka bërë të ditur shkrimtari kosovar, Migjen Kelmendi, i cili është njëri nga inciatorët e kësaj ideje, ku në llogarinë e tij në Facebook ka shpërndarë këtë rezolutë.

Në këtë rezolutë, është kërkuar që në mbledhjen e dy qeverive, të nënshkruhet marrëveshja për procedurat e ngritjes, e përmbajtjes dhe funksionimin e komisionit ndërshtetëror për hartimin e propozimeve “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”.

“Asht rasti, që në mbledhjen ma të parë të dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, në Gjakovë, me datën 14 qershor 2023, ta nënshkruani marrëveshjen për procedurat e ngritjes, përbamjen dhe funksionimin e komisionit ndërshtetërorë, me ekspertë, për hartimin e propozimeve All Posts“Për një gjuhë shqipe të përbashkët”. Kësaj marrëveshjeje, në vijim mund t’i bashkohen edhe qeveritë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Malit të Zi”, thuhet në rezolutë.

Gjithashtu, më herët është bërë një peticion drejtuar institucioneve “për një gjuhë shqipe të përbashkët”.

Me këtë peticion, kërkohet nga qeveritë e katër vendeve, ku gjuha shqipe është plotësisht ose pjesërisht gjuhë zyrtare, pra, nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që të krijohet një komision ndërshtetëror, që të fillojë punën e vet për unifikimin e gjuhës shqipe si mjet i komunikimit në një hapësirë të re.

Këtë peticion e kanë nënshkruar deri më tash mbi 1182 persona.

Rezoluta e plotë që e ka postuar Kelmendi në Facebook:

PËR NJI GJUHË TË PËRBASHKËT SHQIPE

Shkodër, më 29. 04. 2023

R E Z O L U T Ë

Drejtuar

QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Në vëmendjen e posaçme të

KRYEMINISTRIT ZOTIT EDI RAMA

KRYEMINISTRIT ZOTIT ALBIN KURTI

Fort të nderuem Kryeministra,

Fort të nderuem Ministra,

Ne, nji grup qytetarësh shqiptarë dhe/ ose të huaj, përdorues të gjuhës shqipe, sot, nga takimi ynë në Shkodër iu bajmë me dije se solidarizohemi me kërkesën, që ju asht dërgue nga takimi i Tiranës, i datës 3. 12. 2022, për ngritjen e një komisioni ndërshtetërorë, me ekspertë “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”.

Po ashtu solidarizohemi me peticionin, te linku si vijon Petition · Për një Gjuhë Shqipe të përbashkët! · Change.org , që deri më sot asht nënshkrue nga mbi 1182 persona.

Asht rasti, që në mbledhjen ma të parë të dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, në Gjakovë, me datën 14 qershor 2023, ta nënshkruani marrëveshjen për procedurat e ngritjes, përbamjen dhe funksionimin e komisionit ndërshtetërorë, me ekspertë, për hartimin e propozimeve “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”. Kësaj marrëveshjeje, në vijim mund t’i bashkohen edhe qeveritë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Malit të Zi.

Nuk ka fjalor të përbashkët të gjuhës shqipe apo kurrikula të përbashkëta mësimore, që mund të hartohen e të zbatohen si duhet, nëse ma së pari nuk e unifikojmë gjuhën tonë, duke e shtrirë në tanë shtratin e saj, siç aktet themeluese të shteteve tona e përcaktojnë.

Çështja e gjuhës shqipe asht sa kushtetuese, kombëtare, kulturore, shpirtënore, edhe ekonomike, se ndikon thelbësisht në prosperitetin e tanë shqiptarëve në Ballkan, që jetojnë në trojet e veta. Gjuha shqipe na bashkon e nuk ka sesi të na ndajë e diskriminojë si deri tash, mes vedi.

Asht koha për veprim.