LAJMI I FUNDIT:

Për krijimtarinë poetike të Xhevdet Bajrajt

Për krijimtarinë poetike të Xhevdet Bajrajt

Nga: Berat Armagedoni

E nderuar familja Bajraj,


Të nderuar të pranishëm,

Organizatorë të festivalit të madh “Hardh Fest” dhe shumëkulturor,

Bashkëvendës të Xhevdet Bajrajt,

Kam marrë ftesë, nga organizatorët e “Hardh Fest”-it, që sot të paraqitem këtu, me një vështrim përmbledhës dhe me qëndrim kritik, monografik dhe publicistik për krijimtarinë e Xhevdet Bajrajt. Ajo që dua t’ju them tash për Bajrajn dhe për krijimtarinë e tij është kjo:

Kosova ka shumë poetë dhe shumë poetesha. Disa prej tyre nuk kanë asnjë veçanti në libra, disa kanë ndonjë veçanti, disa kanë disa veçanti. Poezia e Xhevdet Bajrajt ka shumë veçanti gjuhësore dhe tematike. Ato i kanë hetuar, i kanë veçuar dhe i kanë përmendur kritikë dhe studiues universitetesh, institutesh dhe botues, por edhe shkrimtarë të shquar shqiptarë. Për shembull, një vit më parë Kongoli tha, për poezinë e Bajrajt, pak a shumë, kështu: Sot në trojet shqiptare nuk ka një poet më të mirë se Xhevdet Bajraj. Ky është konstatim i madh. Është, po ashtu, lavd i madh që i bëhet vendasit tuaj i cili, ani pse është larg jush, Rahovecin, virtytet tuaja dhe prodhimet e tokës suaj s’i lëshon nga goja asnjëherë, as kur ne biem në gjumë e ai çohet nga gjumi dhe shtrati dhe shkruan për ëndrrat e veta dhe për tonat që janë ëndrra shqiptare.

Përpos Kongolit, poezinë e Bajrajt e kanë çmuar edhe sa e sa të tjerë. I ndjeri, Ali Podrimja, vërente se në poezinë e tij “bota poetike vibron ndërmjet poetikës emocionale, me metafora të ngrohta të jugut”. Poeti dhe përkthyesi Shqiptar Oseku e ka quajtur “një nga poetët më të shkëlqyer të poezisë shqip në Gegërinë e veriut, i cili u shqua që në poezitë e para si zë origjinal”. Poeti Halil Matoshi ka shkruar se “ai është një poet i madh, universalist, që i ka tejkalue tashmë kufijtë e poezisë shqipe dhe kosovare”. Shkrimtari Adil Olluri, i cili tash së voni ka shkruar një parathënie për librin e Bajrajt në dorëshkrim, “Kafe me nënën”, i ka dhënë epitet të shkrimtarit të madh botëror, të cilën do të donte ta kishte secila letërsi pasi që është poet i përmasave të mëdha. Edhe poeti, kritiku dhe përkthyesi Shkëlzen Halimi e ka veçuar poezinë e tij nga ajo e të gjithë krijuesve shqiptarë. Po ashtu, emblemë e kurorës poetike në Kosovë, poezinë e tij e kanë quajtur edhe Agron Shala, Shkëlzen Maliqi, Zyrafete Shala, Shefqet Dibrani, Arif Molliqi, Muharrem Kurti e sa të tjerë që njohin poezinë bashkëkohore shqipe. Meqë bibliografia e veprës dhe për veprën e Bajrajt është e gjerë, është përtej territorit tonë, më falni që sot s’po dal përtej këtyre kufijve në këtë festë libri, në këtë festë rrushi dhe në këtë festë muzike. Mund ta them fjalën më të gjerë për të në ndonjë konferencë shkencore organizuar me temën “Poezia e Xhevdet Bajrajt”, ose dikush tjetër në ndonjë punim të diplomës të masterit ose të doktoratës.

Megjithatë, me këtë pak përthekim kritik që bëra, duhet ta dini se një poet si Xhevdet Bajraj s’e ka asnjë letërsi e botës. Asgjë nuk i mungon poezisë së tij për t’u shpërblyer me Çmimin Nobel. Lexojini librat që Akademia Suedeze ka shpërblyer me Çmimin Nobel për Letërsi dhe, vetëm pak nëse keni dell të kritikut dhe shije të poetit, do të vini re se poezitë e Bajrajt janë shumë më të bukura se ato. S’po flas me hamendje. As s’po bëj krahasim hamendshëm e me të mundshme e me inate e zhvlerësim të poezisë së askujt. Po flas se i kam lexuar poezitë e atyre shkrimtarëve botërorë që janë shpërblyer me këtë çmim të madh e për të cilin duhet të propozohet edhe Xhevdet Bajraj qoftë me librin Kur qajnë hardhitë, qoftë me librin Ca kokrra rrushi të Rahovecit, qoftë me librin që do t’i botohet së shpejti, Kafe me nënën. Patjetër mund të propozohet edhe me librat që ka botuar para këtyre, si: Nënë prej guri, Emblemë e vdekjes, Copë e humbur e parajsës, Liria e tmerrit, Kur engjëjt qajnë, Shpuplimi i shqiponjës, Copa ime e qiellit, Lëngu i trëndafilave, Vrasja e mushkonjës, Blues nën qiellin e indianëve, Ditë e zezë, Vitet që nuk e sollën pranverën e me ndonjë tjetër që ka shkruar në gjuhën shqipe dhe spanjolle.

Pse është i veçantë për Kosovën, për Rahovecin, për shqiptarët ky poet i mprehtë dhe i rreptë? Sepse në pjesën më të madhe të poezive të Bajrajt, Rahoveci frymon shqip dhe spanjisht. Shpeshherë edhe anglisht, gjermanisht, maqedonisht, arabisht, suedisht. Sepse i janë përkthyer edhe libra të veçantë, edhe përmbledhje librash, edhe shumë poezi i janë përfshirë në antologji në këto gjuhë dhe të tjera gjuhë. Në ndonjë poezi të tij e shohim sipërfaqen e Rahovecit në tërësi, në ndonjë poezi ndonjë bujk rahovecian në vresht, në ndonjë tjetër ndonjë kalavesh rrush, në ndonjë tjetër ndonjë hardhi që bëhet se qan, në ndonjë tjetër ndonjë mjet bujqësor, në ndonjë tjetër ndonjë skamnor, në ndonjë tjetër ndonjë milioner. Ato që s’mungojnë në asnjë libër, janë kokrrat e rrushit të Rahovecit, djathi dhe nëna e tij.

Për dy vjet bashkëpunim, Xhevdetit i kam botuar tre libra. Librin me poezi Kur qajnë hardhitë (vitin e kaluar u shpërblye me Çmimin për Poezi nga Ministria e Kulturës), librin me poezi (në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Koliqi”), Ca kokrra rrushi të Rahovecit dhe monodramën Vrasja e mushkonjës, e cila qe shpërblyer me çmimin e parë në konkursin për dramë të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës para disa vitesh. Për shkak të miqësisë, por dhe të bashkëpunimit të shkëlqyer dhe korrekt, bashkëpunimin me Xhevdetin e kemi vazhduar edhe këtë vit dhe do ta vazhdojmë pa fund.

Veprat e Xhevdet Bajrajt janë një koleksion miniaturash poetike. Përbrenda tyre ka portrete, përshkrime, kujtime, njoftime, rrëfime për karaktere njerëzish, skena komike dhe tragjike, skica dhe skeçe. Duke pasur shije të hollë për këtë lloj të shkrimit dhe për përzgjedhje të këtyre miniaturave, kujdes të posaçëm u kushton edhe titujve të tyre, të cilët janë, pjesa më e madhe e tyre, me vetëm nga një fjalë, kryesisht emra.

Këta tituj emërorë i përshtaten natyrës së miniaturës, e cila ka ngjarje të vogla, fjalë të pakta, fjali të shkurtra, po mjaft të zgjedhura. Rrush prej figurave stilistike janë poezitë e tij. Ka në to simbol, ka personifikim, ka antitezë, ka krahasim, ka metaforë, ka hiperbolë, ka litotë, ka inversion, ka paradoks, ka alegori, ka paralelizëm figurativ. Ka kujtime të mira dhe të këqija. Ankth dhe stres. Krime dhe dëshmi. Foshnja, fëmijë, të rinj, të moshuar, të vjetër. Të gjallë dhe të vdekur. Prezantim të krimeve e të dëmeve të mëdha serbe bërë në Kosovë, duke numëruar rreth 12 000 të vrarë, prej tyre rreth 1 400 fëmijë, rreth 1 750 vajza dhe gra. Dmth., poezia e Bajrajt ka, përpos letrar, edhe dimension historik, të historisë më të re të Kosovës. Padyshim se, duke e shkruar poezinë Pa zemër edhe në gjuhën spanjolle, e cila numëron disa prej krimeve serbe në Kosovë, ndërkombëtarizon çështjen e kombit dhe të popullit tonë.

Më tutje, poezia e tij ka homazh për dëshmorë, për heronj, për viktima dhe ka mirazh për disa udhëheqës zyrash të gjymtuar në beteja të luftës, të cilët mezi s’presin t’i korruptojë dikush. Ka dhe ftesë për protestë të qetë e zë të ngritur kundër atyre që pronën e shtetit e përdorin dhe e keqpërdorin më shumë se pronën e vet private. Ka hakërrimë njerëzore për padrejtësi të ndryshme e të mëdha shoqërore.

Poezitë e tij janë dokumentare, janë pjellë e luftës së Kosovës dhe lirisë së nëpërkëmbur të saj. Libra të tillë, me ngjarje të luftës e të pasluftës, shkruar në këto përmasa shoqërore, kulturore, arsimore, shkencore, për dëmet njerëzore dhe ekonomike që i janë bërë vendit tonë nga serbët dhe nga shqiptarët e pandershëm, na kanë munguar gjatë dhe shumë. Sa të ketë Xhevdeti jetë s’do të mungojnë më sepse këto tema, ky shkrimtar i angazhuar, me qëllim po i përsërit nëpër poezi sepse e di nga leximet, nga dëgjimet, madje një pjesë të luftës e ka përjetuar edhe vetë dhe ka thënë, se plot shkrimtarë shqiptarë kanë duar të përgjakura. Por, pastaj edhe këtu duhen veçuar Bajraj dhe baxhanaku i tij, Milazim Krasniqi, i cili edhe ai ka shkruar një libër të vogël po me përmbajtje të madhe për luftën, përplot me rrjedh gjaku nga trupat e shqiptarëve – krime këto të kryera nga serbët.

Xhevdeti pastë shëndet të mirë për të shkruar libra si gjithë këta që ka botuar deri sot e ne paçim mendjen në rregull e të kthjellët për ta vlerësuar e nderuar krijimtarinë e tij si në këtë aktivitet të “Hardh Fest”-it.