Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se është evidentuar një ndërprerje e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave.

KEK njofton se kjo si pasojë e një ndërprerjeje në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, e cila ka shkaktuar ndaljen automatike të operimit të elektrofiltrave, ndërsa theksojnë se janë duke u zbatuar masa intensive parandaluese me qëllim mbrojtjen e aseteve të tjera teknike dhe minimizimin e çdo rreziku potencial për sistemin.


Njoftimi i plotë i KEK-ut:

Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se në Termocentralin “Kosova A” është evidentuar një ndërprerje e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave, si pasojë e një ndërprerjeje në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, e cila ka shkaktuar ndaljen automatike të operimit të elektrofiltrave.

Menjëherë pas evidentimit të situatës, ekipet teknike kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e plotë të shkakut, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar ndërhyrjet për sanimin e defektit dhe rikthimin e funksionalitetit të plotë të sistemit.

Paralelisht, janë duke u zbatuar masa intensive parandaluese me qëllim mbrojtjen e aseteve të tjera teknike dhe minimizimin e çdo rreziku potencial për sistemin.

Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar për menaxhim profesional të situatës, transparencë ndaj opinionit publik dhe rikthim sa më të shpejtë në operim normal, në përputhje me standardet teknike dhe mjedisore në fuqi. /Telegrafi/