LAJMI I FUNDIT:

Për çështjet e kota

Për çështjet e kota

Këtë tekst po e nis me një thënie të një prej shkrimtarëve më të dashur për mua: Oskar Uajld (Oscar Wilde): “Vetëm një gjë është me e keqe se të flitet për ty, e ajo është të mos flitet për ty”. Këtë e dinë shumë njerëz, përfshirë ata në skenën e kiçit të popullarizuar muzikor, që na paraqitet edhe si Rap dhe RnB. Kështu, shumë prej këtyre akterëve, kur nuk mund të dalin në media për gjëra të mira, gjenerojnë lajme të këqija apo të kota dhe me këtë tërheqin vëmendjen e publikut. Ndonjëherë këto gjëra të këqija janë edhe të rastësishme, por ndikojnë në kapjen e vëmendjes edhe në rritjen e numrit të klikimeve për prodhimet e tyre.

Kur ndodhin gjërat e kota të cilat mbulohen nga elitat, është edhe një pjesë e publikut e cila reagon duke komentuar se është budallallëk të flitet për këtë ngjarje, se kjo ngjarje nuk ka rëndësi për publikun, se duhet të injorohet, apo komente të ngjashme.

Unë po mundohem që të jap kontributin tim që njerëzit të mos merren me çështje triviale, ndaj po e shkruaj këtë tekst. Nuk po marr asnjë shembull për trivialitet që na marrin kohë. Sepse, në momentin që do përmendja një shembull, do t’i bëja nder trivialitetit. Teknikisht, ky tekst “ka mujtë me pasë” një titull tjetër me emrin e ndonjë personi të kotë që ka vërshuar mediat tona me çështje të kota, e me këtë do të merrja më shumë klikime. Por, do t’i shërbeja dreqit!

Ka këshilla për të gjithë ata që dëshirojnë të mos ketë trivialitet në mediat tona. Sipas mendimit tim, disa nga to janë:

• Mos kliko në asnjë foto apo lajm që është i parëndësishëm për shoqërinë;

• Mos kliko në asnjë lloj të titujve, si: “Cili shqiptar ia kthejë fjalën Vuçiqit”, “Mësoni cili fshat i Kosovës i ka vajzat më të bukura”, apo edhe në lajmet për një person që nuk e njeh e që të servohet si njeri i rëndësishëm – si analist, politolog apo edhe “njohës i çështjeve”;

• Mos e shpreh hidhërimin tënd në media sociale se pse kompanitë mediale merren me çështje të tilla, duke bërë postim dhe duke përmendur çështjen apo mediumin;

• Mos komento në postime të kota të mediave duke i pyetur mediat se pse merren me këtë punë. Sepse, ata merren që ti të komentosh, pa marrë parasysh se çka thua. Kështu, median e bën më relevante në rrjetet sociale;

• Injoroje temën e kotë në sferën publike;

• Shkruaji privatisht mediumit që e ka publikuar lajmin e kotë dhe thuaju “mos na lodhni b… me këso gjëra”;

• Shkruaju privatisht njerëzve të cilët i përhapin këto “tema” në mediat sociale dhe thuaju se “komentimi i tyre i shërben vetëm asaj që dëshiron ta luftosh”;

Si gazetar kam parë se edhe njerëzit e etabluar si analistë, vazhdimisht merren me kritikimin e politikanëve dhe mediumeve që merren me gjëra të kota. Këta analistë e dinë saktësisht pse e bëjnë këtë. Ata e bëjnë këtë jo për të kritikuar dukurinë, por për të mbledhur “Like” dhe vëmendje. Kjo është e vërtetë, pasi kritikat e tilla prej analistëve të etabluar në media, bëhen vazhdimisht, sidomos kur nuk ka gjëra të kota në publik.

Është thjeshtë: nëse është çështje e kotë mos u merr me të. Kritikimi i këtyre dukurive, duke i përmendur, është sikur të flasësh vazhdimisht negativisht për një klasë politike e pastaj, në rastin e parë të takimit fizik, bënë “Selfie” me ta me gojën hapur vesh m’vesh.