LAJMI I FUNDIT:

Për 12 takime, Bordi i BQK-së ka marr 75 mijë euro mëditje

Për 12 takime, Bordi i BQK-së ka marr 75 mijë euro mëditje

Për vetëm 12 ditë punë, kryesuesi i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Peci, ka realizuar në vitin 2017 të hyra vjetore plot 25 mijë euro. Po kaq të hyra Peci ka realizuar edhe si profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës (UP).

ORAinfo ka gjetur se Peci në BQK paguhet 2 mijë euro në muaj, pagë fikse, ndonëse në disa raste ndodhë që bordi të mos mblidhet brenda muajit. Në vitin 2016 bordi është mbledhur 10 herë, dëris Peci është paguar me pagë fikse për 12 muaj. Ndërkaq, në vitin 2017 Bordi ka mbajtur gjithsej 12 takime.

Sipas asaj që ka deklaruar në Agjencinë Anti-Korrupsion, Peci në BQK në vitin 2017 është kompensuar me 24 mijë e 369 euro.

Veç kreut të Bordit, në vitin 2017 të hyra të majme kanë realizuar edhe dy anëtarët tjerë Nuhi Ahmeti dhe Behxhet Brajshori.

Ahmeti për dymbëdhjetë takime të Bordit sa janë mbajtur ka realizuar të hyra prej 22 mijë e 568 euro, ndërsa Brajshori 20 mijë e 975 euro.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë konfirmuar për gazetën se anëtarët e Bordit marrin pagë fikse, por nuk kanë shpjeguar se pse janë tarifat kaq të larta.

Zëdhënësi i BQK-së Kushtrim Ahmeti ka thënë për ORAinfo se kompensimi për anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore është i përcaktuar me nenin 39 të Ligjit për BQK-në.

“Ky nen në paragrafin 2 përcakton se “Kompensimi total vjetor për anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore dhe ata të Bordit Ekzekutiv duhet të aprovohet si pjesë e buxhetit të Bankës Qendrore, siç përcaktohet me nenin 35 paragraf 1 nën-paragrafi 1.6. i këtij ligji dhe të shpaloset në raport siç i referohet neni 59 të këtij ligji”.

Sipas Ahmetit, në pajtim me nenin e sipërpërmendur, kompensimi i anëtarëve të Bordit të Bankës Qendrore bëhet në baza mujore e jo në bazë të takimeve të Bordit. Megjithatë nuk ka sqaruar se pse ndodhë kjo praktikë, duke qenë se Bordi në shumë raste nuk mban takime mujore.

“Kompensimet janë fikse , dmth mujore , kryesuesi dallon për nga pagesa e poashtu ka dallim në pagesë edhe për kryesuesin e komitetit te Auditimit”, ka thënë ai.

Ndryshe Bordi i Bankës Qendrore i ka katër anëtarë. Përveç Bedri Pecit si kryetar, anëtarë janë Nuhi Ahmeti dhe Behxhet Brajshori dhe guvernatori Fehmi Mehmeti. Ky i fundit nuk paguhet për punën në Bord pasi është staf i brendshëm i BQK-së. /ORAinfo/