Pep Guardiola ka shprehur kënaqësinë e tij pas konfirmimit të transferimit të Antoine Semenyo te Manchester City, marrëveshje që u zyrtarizua të premten.

Semenyo i dha fund aventurës së tij me Bournemouth duke shënuar golin e fitores në minutat shtesë ndaj Tottenhamit të mërkurën, përpara se të firmoste një kontratë pesëvjeçare e gjysmë me Cityn në “Etihad Stadium”.


Në sezonin aktual të Ligës Premier, Semenyo ka realizuar 10 gola dhe tre asistime, ndërsa vetëm dy lojtarë kanë kontribuar drejtpërdrejt në më shumë gola se ai: bashkëlojtari i tij i ri Erling Haaland (20 gola dhe katër asistime) dhe Igor Thiago (16 gola dhe një asistim).

Manchester City ka konfirmuar se Semenyo mund të debutojë që këtë fundjavë, në ndeshjen e raundit të tretë të FA Cup ndaj Exeter Cityt të shtunën, si dhe në gjysmëfinalen e parë të EFL Cup kundër Newcastle United të martën.

Guardiola theksoi se ishte shumë i kënaqur që lojtari zgjodhi Cityn, duke e parë atë si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv.

“Të gjithë i dinë cilësitë që ka – ka luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme me Bournemouthin në vitet e fundit dhe mund të luajë në të dy krahët”.

“Ai përdor të dyja këmbët në mënyrë të jashtëzakonshme. Mund të luajë edhe si sulmues qendre, falë shpejtësisë së tij. E njeh shumë mirë Ligën Premier, shumë klube e donin, por ai vendosi të vijë te ne. Gjithçka që mund të them është faleminderit dhe jemi shumë të kënaqur për vitet që vijnë”.

“Prej një kohe të gjatë e kemi ndjekur. Duke parë situatën që kemi me anësorët, me tre lojtarë specifikë si Oscar Bobb, Savinho dhe Jeremy Doku, na duhej të përforcoheshim për vitet e ardhshme, prandaj klubi vendosi ta marrë”.

“Ai është në moshën perfekte, vitet më të mira janë përpara. Të gjitha klubet përpiqen të sjellin lojtarë të rinj, por ai do ta ndërtojë karrierën dhe vitet më të mira pikërisht këtu”./Telegrafi

telegrafi sport app