Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka vazhduar takimet me qytetarë, kësaj radhe në Vinarc dhe në Luginën e Ibrit, ku ka prezantuar planin e tij zhvillimor për këto zona me rëndësi për komunën.

Në fokus të programit të Pecit është ndërtimi i infrastrukturës moderne dhe krijimi i kushteve më të mira për jetesë dhe zhvillim ekonomik.


Ai ka theksuar se investimet prioritare do të përfshijnë:

ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin më mirë zonat rurale me qendrën e qytetit;

sigurimin e ujit të pijshëm dhe sistemeve të ujitjes për bujqësinë;

mirëmbajtjen e liqenit dhe mbrojtjen e mjedisit përmes projekteve konkrete.

“Ky është vizioni ynë: zhvillim, ndërtim dhe jetë më të mirë për të gjithë banorët. Bashkë për Mitrovicën që duam!”, tha Peci gjatë fjalimit të tij, duke theksuar edhe rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse.