PDK: U mbrojt rendi kushtetues, zgjedhjet të caktohen sipas afateve kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit është shmangur, sipas saj, një nga shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe është mbrojtur rendi kushtetues i vendit.
Në një reagim pas zhvillimeve politike, PDK vlerësoi se kanë dështuar përpjekjet për, siç i quajti, imponim të një procesi të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese.
Sipas PDK-së, përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar e mban pushteti aktual, të cilin e akuzon për shkaktim të krizave politike, keqqeverisje dhe shmangie nga përgjegjësitë shtetërore.
Partia opozitare tha se, në përputhje me Kushtetutën, vendi tash hyn në një proces të ri zgjedhor dhe kërkoi nga ushtruesja e detyrës së presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese.
PDK kërkoi që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i lirë dhe demokratik, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të përgatiten për zgjedhjet dhe, siç thuhet në reagim, përmes votës të refuzojnë përçarjen dhe bllokadat institucionale.
Sipas PDK-së, vendi ka nevojë për një drejtim të ri politik, stabilitet institucional dhe qeverisje që respekton Kushtetutën.
“Republika u mbrojt sot. Tani është radha e qytetarëve”, thuhet në reagimin e PDK-së./Telegrafi.




















































