LAJMI I FUNDIT:

PDK pa përgjigje për taksën me Serbinë

PDK pa përgjigje për taksën me Serbinë

Vendosja e taksës doganore për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës dhe presioni për pezullimin e këtij vendimi, në skenën politike kosovare ka hapur debat për raportet Kosovë-ShBA si dhe për ‘meritorët’ e vënies së sanksioneve ndaj shtetit serb.

Insistimi i ShBA-së për heqjen e takës ka marrë mbështetje edhe nga presidenti Hashim Thaçi, i cili kritikoi kryeministrin Ramush Haradinaj, për cenim të raporteve me shtetin mik.


Këto zhvillime, së fundi kanë lënë hapësirë se është krijuar një përçarje në koalicionin PDK-AAK-Nisma, i njohur si PAN.

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk i kanë komentuar specifikisht deklaratat e presidentit Thaçi, por kanë thënë se vendimi për taksën duhet të jetë në koordinim me partnerët e Kosovës, siç janë ShBA-ja dhe Bashkimi Europian.

Ndërkaq, më e prerë për qëndrueshmërinë e taksës po shprehet partia politike e kryeministrit Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se taksa ndaj produkteve serbe, duhet të mbetet në fuqi dhe se sipas tij, kjo nuk do t’i cenojë raportet me Amerikën.

“Taksa është vendim i Qeverisë për shkak të politikës destruktive të Serbisë ndaj Kosovës dhe normalisht që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten si përherë, marrëdhënie të cilat nuk do të zbehen, përkundrazi do të forcohen edhe më shumë”, u shpreh ai.

Sipas Ahmetit, përveç taksës ndaj shtetit serb, duhet të merren edhe masa të tjera.

“Politika serbe edhe më tutje po lobon edhe për tërheqjen e njohjeve, edhe për mos lejimin e Kosovës që të inkuadrohet në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare”, tha ai.

Zyrtari i AAK-së, pretendimet e PDK-së për inicimin e masës tregtare ndaj Serbisë, i ka quajtur interesa politike.

“Me rëndësi është që vendimi është i Qeverisë dhe kjo është kryesorja, të tjerat janë çështje e interesave politike”, theksoi Ahmeti.

Në anën tjetër, edhe partia politike opozitare Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se taksa prej 100 për qind nuk duhet të hiqet.

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se kërkesa e presidentit Thaçi për pezullimin e vendimit, nuk ka të bëjë me raportet me ShBA-në.

“Nga viti 2006 Vetëvendosje kërkon reciprocitet të plotë me Serbinë: ekonomik, politik dhe tregtar, prandaj konsiderojmë që në asnjë rrethanë Qeveria Haradinaj nuk duhet të tërhiqet nga ky vendim. Nuk e besoj që një shtet mik dhe që e ka ndihmuar në vazhdimësi Republikën e Kosovës, siç janë Shtetet e Bashkuara, do të prishte raportet me Kosovën për shkak të taksës”, u shpreh ajo.

Sipas deputetes Haxhiu, kërkesa e Thaçit po përshtatet me atë të homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Sa u përket meritave për inicimin e taksës, deputetja ka thënë se për të tilla tema vazhdimisht ka pasur krekosje të politikanëve.

“Në anën tjetër, kur jemi pastaj te tërheqja nga këto vendime, askush nuk e merr meritën dhe nuk flasin në atë kuptim. Prandaj nuk është e befasishme kjo qasje e tyre. Është e qartë që ka një kundërshti ndërmjet vetë partnerëve të koalicionit. Ndoshta kjo do të mund të prodhojë rrethana të reja, por natyrisht kjo mbetet të shihet”, theksoi Haxhiu.

E ardhmja e taksës

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se e ardhmja e vendimit për taksë 100 për qind është në duar të Qeverisë së Kosovës dhe se varet edhe nga procesi i dialogut me Serbinë.

Politologu Ramush Tahiri thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se kryeministri Haradinaj është lënë i vetëm nga ata me të cilët bashkëqeveris.

“Presidenti pati deklaruar se meritë e kësaj takse është pikërisht PDK-ja, Enver Hoxhaj pati propozuar taksën 10 për qind, ndërsa Kadri Veseli 100 për qind. Mirëpo, tash duket se po tërhiqen dalëngadalë nga merita për taksën dhe po ia lënë gjithë fajin vetëm Ramush Haradinajt”, vlerësoi ai.

Tahiri beson se taksa do të hiqet këtë javë për shkak të procesit të dialogut me Serbinë.

“Unë besoj që pas takimit me ambasadorin që të mbahet të martën, taksa do të hiqet me arsyetimin e çdohershëm ‘për t’i hapur rrugë dialogut’ dhe për t’i ruajtur marrëdhëniet me ShBA-të”, tha ai.

Ndërkaq, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, thotë për Gazetën JnK, se presidentit Thaçi nuk i takon të vendos lidhur me taksën.

“Presidenti Thaçi nuk është ai që ka vënë taksën dhe njëkohësisht nuk është ai që duhet të japë premtime që taksa do të hiqet pasi që nuk është kompetencë e tij, as nuk varet vendimi nga ai. Vendimi është marrë nga Qeveria, edhe nga ta varet”, shtoi ai.

Sipas Demhasajt, masa doganore do të mund të pezullohej nëse Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës.

“Nëse ka siguri ndërkombëtare dhe sidomos nga ShBA-ja ashtu dhe nga BE-ja që është e mundshme në një kohë shumë të shkurtë arritja e një marrëveshje me Serbinë qe do të pasonte me njohjen e Kosovës, atëherë taksa mund të suspendohej përkohësisht. Në rast se nuk ka shkëndija të tilla, atëherë taksa nuk do të duhej të hiqet pasi që është një lloj mjeti presioni që i bëhet Serbisë”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, kishte vënë taksë fillimisht prej 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës, ndërsa pak ditë më vonë kjo masë ishte rritur në 100 për qind.

Vendimi i ekzekutivit erdhi si ndëshkim ndaj diplomacisë serbe për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatën ndërkombëtare Interpol.

Për nesër është paralajmëruar një takim mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit dhe ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett ku pritet të diskutohet çështja e taksës.

Lidhur me këtë takim, sot është deklaruar edhe kryeministri Haradinaj i cili tha se e mirëpret këtë takim.

“E mirëpres takimin, është diçka e mirë. Është propozim i kryetarit Veseli”, tha kryeministri para gazetarëve. /JnkK/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Kalo në kategori