PDK: Kuvendi nuk është konstituuar, e pakuptimtë ftesa për takim të Kryesisë së Kuvendit

Pas shpalljes së përfundimit të konstituimit të Kuvendit nga Kryetari i tij, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar duke e cilësuar këtë veprim në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas PDK-së, Neni 67 i Kushtetutës nuk është zbatuar në tërësi, pasi ende nuk është zgjedhur Kryesia e Kuvendit në përbërjen e plotë kushtetuese.
“Për PDK-në, Kuvendi ende nuk është i konstituuar. Prandaj, ftesa për takim të Kryesisë është e pakuptimtë dhe i shërben vetëm agjendave partiake, jo interesit të shtetit”, thuhet në reagimin e kësaj partie në një komunikatë për media.
PDK ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për “zvarritje të qëllimshme” në procesin e themelimit të institucioneve shtetërore, duke paralajmëruar se kjo situatë është “skajshmërisht e rrezikshme” për vendin.
Duke theksuar se nuk ka pasur asnjë detyrim kushtetues për ta bërë, PDK rikujtoi se kishte votuar për Kryetarin e Kuvendit “për të zhbllokuar institucionin më të lartë përfaqësues të qytetarëve”.
Megjithatë, sipas kësaj partie, veprimet e mëtejshme të Vetëvendosjes po tregojnë “frikën e saj nga hyrja e ligjshme në afatet kushtetuese për të provuar krijimin e qeverisë së re”.
“Me këtë qasje populiste, Kosova po shtyhet drejt një krize të re institucionale, pasojat e së cilës do t’i bartin shteti dhe qytetarët”, ka paralajmëruar PDK./Telegrafi/



















































