LAJMI I FUNDIT:

PDK: Komisioni Parlamentar duhet të hetojë lidhjet e Qeverisë së Kosovës me ‘Kartelin e Rrymës’

PDK: Komisioni Parlamentar duhet të hetojë lidhjet e Qeverisë së Kosovës me ‘Kartelin e Rrymës’

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) njofton se e konsideron të domosdoshëm formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike në vend dhe i fton të gjithë deputetët e Kuvendit, pa dallime partiake, që të mbështesin këtë iniciativë që ka për qëllim kryesor transparencën e plotë para qytetarëve, rreth shpenzimit të mbi 100 milionë eurove nga Qeveria aktuale, për blerje të energjisë elektrike gjatë krizës dhe shtrenjtimin e saj për qytetarët e vendit.

Krahas hetimit të plotë parlamentar, PDK thotë se kërkon që presidentja dhe kryeministri të veprojnë me urgjencë për ta larguar nga detyra ambasadorin Martin Berishaj dhe për të zbardhur deri në detaje përfshirjen e tij në “Kartelin e Rrymës”, ndërlidhjet me kompaninë energjetike GEN-I me adresë në Serbi, si dhe për të zbuluar arsyet e fshehjes së deklarimit të pasurisë nga ana e tij.


“Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që të ndalojnë pengimin e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të zbardhë para opinionit publik shpenzimin e parasë së qytetarëve të Kosovës dhe lidhjet potenciale të ‘Kartelit të Rrymës’ me Qeverinë e Kosovës gjatë krizës energjetike. Një hetim parlamentar, transparent dhe i hapur, ku do të përfshiheshin deputetët e pozitës dhe opozitës, tanimë është interes kombëtar”, thuhet në reagim.

“Ky Komision Hetimor Parlamentar do të monitorohet nga ekspertë e anëtarë të shoqërisë civile dhe mediat, ku të gjithë do të shohin se ku, si dhe kujt u janë dhënë mbi 100 milionë euro të taksave të qytetarëve dhe si ndodhi që krahas shpenzimit të mbi 100 milionë eurove qytetarëve të Kosovës sërish u ngrit çmimi i energjisë elektrike për më shumë se 100 për qind”, përfundon PDK. /Telegrafi/