Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka hedhur akuza ndaj kryeministrit në detyrë dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti.

Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk po e kupton pragmatizmin politik se nuk është tragjedi të bësh kompromis, por është vlerë normale demokratike.


I pari i LDK-së tha se ka parti që po ia japin atë kompromis, duke thënë se PDK-ja i ka 24 vota për 40 emra të LVV-së për kryeparlamentar.

“Ka parti që po ja japin atë kompromis, e kam thënë edhe herën e kaluar LDK-ja i ka 20 vota kundër për secilin emër, NISMA i ka 3 vota për një emër, PDK-ja i ka 24 vota për 40 emra, AAK-ja i ka 5 vota për tre emra. Pra kompromisi është i mundshëm, zgjedh e merr”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se nëse Kurti insiston në kushtet paraprake dhe thotë që ky është kompromisi i tij, atëherë ti e ngatërron kompromisin me imponimin.

“E këtu besoj se ka shkarje të rëndë logjike e besa edhe të inteligjencës”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/