LAJMI I FUNDIT:

PD kërkon përjashtimin e Braçes

PD kërkon përjashtimin e Braçes
Deputeti i PS Erion Brace, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku maxhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me situaten politike ne vend.

Menjëherë pas ndërprerjes së dytë të punimeve parlamentare, pas konfliktit që shkaktoi deputeti socialist, Erjon Braçe, me deputetët e PD-së, do të thirrej në një mbledhje urgjente Byroja e Kuvendit, e cila vendosi që të kërkojë më shumë kohë për të analizuar kërkesën e PD-së që të përjashtohet për 10 ditë nga Kuvendi deputeti socialist, Erjon Braçe.

Nënkryetari i PD-së dhe i Kuvendit, Edmond Spaho, ka folur pasditen e sotme për gazetarët, ku u shpreh se kanë paraqitur në Byronë e Kuvendit kërkesë për ndëshkimin e Braçes, por kjo nuk është marrë parasysh. Sipas Spahos, ai vetë nuk do të marrë më pjesë në mbledhjet e Byrosë, për shkak të standardit të dyfishtë që Kuvendi po përdor. “Paraqitëm qëndrimin e PD-së për Erjon Braçen.


Por Byroja e Kuvendit kërkoi kohë për të vlerësuar kërkesën tonë. Edhe pse kishte prova dhe të gjithë e dëgjuan se çfarë u tha nga Erjon Braçe, sërish nuk u mor asnjë vendim, sepse mazhoranca kërkon kohë. Ne kërkuam përjashtimin me disa ditë të deputetit Braçe. Kushdo që thyen rregullin, duhet të përballet me masa ndëshkuese dhe rregulloren. Në këto kushte, shprehëm pakënaqësinë tonë se, pavarësisht të gjitha provave, Byroja po tregon standard të dyfishtë”, tha Spaho. Më tej, numri dy i selisë blu tha se Braçe ka fyer gjatë ditës së sotme në seancë edhe deputetet femra të Partisë Demokratike. Ndërkohë që edhe PS-ja, kërkoi pezullimin e katër deputetëve të opozitës, përfshirë edhe Berishën, për të njëjtën akuzë, atë të fjalorit banal në seancë.

Ndërsa lidhur me vendimmarrjen e Byrosë, deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, u shpreh se mazhoranca kërkoi kohë për të pasur një material të plotë nga seanca. “Byroja mund të mblidhet në çdo moment. Mund të mblidhet sonte, por mund të mblidhet edhe nesër. Ajo që duam është të kemi një material të qartë”, u shpreh Toçi. Partia Socialiste ka depozituar një kërkesë për pezullimin nga Kuvendi të katër deputetëve të opozitës: Sali Berisha, Edi Paloka, Roland Keta dhe Arben Ristani, për përdorimin e fjalorit në seancë ndaj deputetit Erjon Braçe. /Telegrafi/