LAJMI I FUNDIT:

Pavarësisht që është një vit i vjetër, Mercedesi shitet më shtrenjtë se një e re – pse po ndodh kjo?

Pavarësisht që është një vit i vjetër, Mercedesi shitet më shtrenjtë se një e re – pse po ndodh kjo?

Diçka e çuditshme po ndodh në tregun e veturave të përdorura në Evropë, SHBA, Japoni… Disa modele në fakt janë më të shtrenjta nga variantet e tyre të reja.

Fjala është për fenomenin që nuk shihet shpesh – pavarësisht që ka një shpjegim të thjeshtë – industria e automobilizmit nuk po mund të prodhojë dhe shpërndajë mjaftueshëm vetura të reja sa duan blerësit, kjo për shkak të mungesës së çipave të veturave që është ngritur në nivel global, transmeton Telegrafi.


Kjo ka bërë që çmimet në treg të veturave të përdorura të jenë më të larta sesa për mjete të reja. Një dallim i vogël është që veturat e përdorura mund t’i merrni për pak ditë, derisa porositë për të reja mund të zgjasin deri në 12 muaj – varësisht nga marka, modeli, specifikat dhe tregu natyrisht…

Një hulumtim i realizuar së fundmi në treg nga iSeeCars, çmimet e veturave të përdorura janë në “nivel rekord”. Bazuar në të dhënat e futura në platformë, një veturë prej një viti e përdorur kushton 1,3 për qind më shumë sesa një e tillë e re.

Rezultatet e marra bazohen në çmimet e tregut prej 1,5 milionë të veturave të reja dhe atyre të përdorura, që janë shitur në SHBA nga janari i këtij viti e deri më 31 janar.

Doli se Mercedes-Benz G-Class, është hiti absolut në tregun e veturave të përdorura. Një veturë e tillë që është një vit e vjetër mund të blihet për 35,6 për qind më shtrenjtë sesa një e tillë e re.

Në vendin e dytë renditet Chevrolet Corvette me 20,2 për qind më shtrenjtë krahasuar me një të tillë të ri. E në të tretin gjendet Tesla Model 3 (17,8 për qind), i pasuar nga Ford Bronco Sport (16,4 për qind) dhe Chevrolet Trailblazer (15,6 për qind). /Telegrafi/