LAJMI I FUNDIT:

Pavarësisht coronavirusit, Gjermania do të lejojë hyrjen e punëtorëve sezonalë – 40 mijë në prill dhe po aq në maj

Pavarësisht coronavirusit, Gjermania do të lejojë hyrjen e punëtorëve sezonalë – 40 mijë në prill dhe po aq në maj

Gjermania do të lejojë që punëtorët e huaj të hyjnë për të ndihmuar në korrjen e frutave dhe perimeve në ferma, njoftoi qeveria gjermane.

Ministria gjermane e bujqësisë njoftoi se ata kanë arritur një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme për të lejuar hyrjen për 40,000 punëtorë sezonalë në prill dhe 40,000 të tjerë në maj.

“Punëtorët duhet të mbërrijnë me aeroplan dhe jo me autobus për të mbrojtur veten nga kërcënimi i Coronavirusit”, tha ministria e Bujqësisë në një deklaratë, shkruan REL.

Sipas kushteve të vendosura, punëtorët sezonalë, duhet të bëjnë një ekzaminim mjekësor dhe të mbajnë distancën nga njëri-tjetri gjatë punës.

Shumë shtete anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, po zbatojnë kontrolle kufitare për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Fermerët gjermanë dhe përpunuesit e frutave kanë paralajmëruar se masa të tilla mund të parandalojnë hyrjen e mijëra punëtorë sezonalë nga Evropa, por edhe në rritjen e çmimeve.

Shumica e punëtorëve sezonalë janë nga Polonia, Rumania dhe Bullgaria.

Në fillim të javës, Komisioni Evropian gjithashtu u kërkoi anëtarëve të BE-së që të lejojnë hyrjen e qindra mijëra punëtorëve sezonalë, pavarësisht masave për të parandaluar përhapjen e virusit.

Ndryshe, sikurse e gjithë bota, edhe Gjermania po ballafaqohet me krizën e coronavirusit.

Sipas raportimeve të mediaveve, numri i të vdekurve nga coronavirusi i ri (COVID-19) në Gjermani është rritur në 1.048, pasi 117 viktima janë konfirmuar në 24 orët e fundit.

Sipas të dhënave të fundit të ministrive rajonale të shëndetësisë dhe Universitetit Johns Hopkins, numri i rasteve në vend është rritur për 5.478 në 24 orët e fundit, duke shkuar në gjithsej 83.459.

Shteti më i prekur i Gjermanisë është Bavaria, ndërsa pas tij radhitet Nordrhein-Westfalen, shkruan AA.

Deri më tani, në Bavari jetën kanë humbur 298 persona, ndërsa në Nordrhein-Westfalen 216. /Telegrafi/