Pas vendimit të Kushtetueses, Osmani diskuton me diplomaten amerikane për hapat e ardhshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në funksionalizimin e plotë të institucioneve pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Të dyja palët ritheksuan rëndësinë e respektimit të rendit kushtetues dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Osmani dhe Prattipati folën gjithashtu për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj proceseve demokratike në vend.
Në kuadër të bisedës, u ndanë përshtypje edhe nga takimet dhe komunikimet me Presidentin amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, e cila u mbajt së fundmi në Nju Jork. /Telegrafi/

















































