Pas fitores në Drenas, Lladrovci "rikthehet" në selinë e vjetër të PDK-së: Do ta hapim simbolikisht këtë zyrë

Pas fitores në zgjedhjet lokale në komunën e Drenasit, kandidati i pavarur, Ramiz Lladrovci ka paralajmëruar mbajtjen e një koktej rasti në shenjë falënderimi për qytetarët dhe bashkëpunëtorët e fushatës.
Lladrovci tha se do të festojnë në selinë e vjetër e degës së PDK-së në Drenas – aty ku dikur vetë kandidati kishte qenë pjesë e kësaj partie.
Në një njoftim publik, ai shprehu mirënjohjen e thellë për qytetarët që kontribuuan në zhvillimin e zgjedhjeve në mënyrë shembullore dhe theksoi se, edhe pse rezultatet ende nuk janë zyrtarizuar, festimi do të mbahet si shenjë respekti për angazhimin qytetar.
“Me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë njerëzore, institucionale e morale, shpreh respektin e thellë dhe falënderimin për çdo qytetar i cili kontribuoi që zgjedhjet në komunën tonë të zhvillohen në mënyrë shembullore. Megjithëse jemi në pritje të zyrtarizimit të rezultateve, kjo nuk na pengon të kemi një koktej për fitoren, jo vetëm fitore ‘Për Drenasin Kampion’, por fitore të qytetarëve krenarë e me integritet, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare dhe shtetndërtim”, ka shkruar Lladrovci.
Tutje ai ka thënë se me kandidatet dhe kandidatët për Kuvend me anëtarët e Shtabit zgjedhor, do të takohen në zyrat ku ishin vendosur përkohësisht në ora 18:00, ndërsa rreth orës 18:30 do ta hapin simbolikisht zyrën ku ishte selia e Degës së PDK-së në Drenas, zyrë e cila me vite ka qenë burim i fitoreve.
Ai ka ftuar anëtarët e Shtabit zgjedhor “Për Drenasin Kampion” ku tha se me përkushtim të jashtëzakonshëm e sollën fitoren meritore, të vazhdojnë angazhimin dhe japin kontribut me të gjitha mundësitë për fitore në degët e PDK-së të cilat janë në balotazh.
“Ky koktej nuk është përjashtim për ata që mendojnë ndryshe, as demonstrim i arrogancës së fitores, thjeshtë, është kthim te ambientet nga të cilat kishte dhe do të ketë vetëm fitore, me qytetarin e komunës së Drenasit në qendër dhe vizionit të heronjve tanë të luftës dhe paqes. Krenar me qytetarët kampionë të zemrës së Kosovës. Fitorja e qytetarëve të Drenasit, është fitore e madhe! Faleminderit”, ka shkruar ndër të tjera Lladrovci në Facebook. /Telegrafi/




















































