LAJMI I FUNDIT:

“Me pas dashtë me të vra, të kisha vra para një viti”, bashkëshortja e viktimës rrëfen në gjyq se çfarë kishte thënë i akuzuari

“Me pas dashtë me të vra, të kisha vra para një viti”, bashkëshortja e viktimës rrëfen në gjyq se çfarë kishte thënë i akuzuari

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku Janifer Gashi akuzohet për vrasjen e I.G., u dëgjua bashkëshortja e viktimës, Florinda Gashi, e cila rrëfeu se 5-6 muaj para se të ndodhte rasti, i akuzuari i kishte thënë viktimës se po të donte ta vriste, do ta vriste para një viti, por se ishte duke mbledhur fakte për të.

Ajo tha se deri në një vit para ditës kritike, nuk kanë pasur asnjë të keqe në mes vete dhe raportet kanë qenë të mira si familjarë e fqinj.


Gashi tha se një ditë kishte qenë duke ecur me I., në rrugët e fshatit ku ishin takuar me të akuzuarin dhe gruan e tij, ku kjo e fundit iu kishte drejtuar të ndjerit “a po më njeh”, ndërsa tani i ndjeri iu kishte drejtuar “jo veç ndonjëhere të kam parë nga larg apo në ndonjë dasmë”, ku sipas dëshmitares ajo ju ka përgjigjur “më fal që po njihemi në këtë mënyrë”.

Sipas dëshmitares, i akuzuari iu kishte drejtuar I., me fjalët “kjo është ajo që ke folur për të”, gjë që sipas dëshmitares tani i ndjeri kishte filluar të betohet se nuk kishte folur dhe as nuk e njeh.

“Janiferi i ka thënë se Besnik Gashi më ka thënë që ki fol dhe Agim Veselaj, që ke fol ti. Janiferi i tha I., kinse I., ka thënë se e kemi pa në një dasmë duke kërcy Timen dhe I., ka thënë sa e keqe”, tha dëshmitarja Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja tutje tha se i akuzuari ju kishte drejtuar me fjalët se “me pa desht me t’vra, t’kisha vra para një viti, por jam tu mbledh fakte për ty”.

Kjo bisedë tha se kishte ndodhur 5-6 muaj para se të ndodhte ngjarja, ku shtoi se gjatë bisedës në rrugë kishin pasur të sqarohen shumë gjersa, ku e kishin lënë që ose i akuzuari me bashkëshorte të shkonte tek ta ose dëshmitarja me bashkëshort tek ata.

“I., ka qenë në lokal të fshatit ulur, Janiferi ka hyrë në lokal, I., e ka ftu me pi një pije edhe ky e ka nxjerrë alltinë dhe i është drejtuar në drejtim të I., dhe aty fshatarët e kanë ndarë, për këtë më ka treguar I.”, tha dëshmitarja.

Për këtë rast, ajo tha se janë pajtuar sipas kanunit dhe rasti nuk është paraqitur në Polici, pasi që kanë qenë si familjarë, si fqinjë, ku i akuzuari dhe babai i tij kishin kërkuar falje, e ku kishte pasur prezent edhe persona tjerë, kur janë pajtuar.

Tutje ajo tregoi bisedat e fundit të ditës kritike me bashkëshortin e saj, ku sipas tij nuk kishte shkuar shumë kohë dhe janë dëgjuar krismat e të shtënave, e që më pas e kuptoi se si pasojë e të cilave ishte plagosur rëndë bashkëshorti i saj.

Më pas u dëgjuan edhe dëshmitarët Flakrim Gashi dhe  Denis Gashi, të cilët treguan se si erdhi në lokalin e fshatit i akuzuari dhe si shtiu disa herë me armë në trupin e viktimës, tani të ndjerin I.G.

Dëshmitari Flakrim Gashi tha se në ditën kritike kishte qenë së bashku me tani të ndjerin për t’i prerë flokët në ora 11 të ditës, ku janë kthyer në lokalin “Shelnja” dhe aty kishin qenë me personat Fetë Gashi, Denisi, Zeka dhe Lirimin, duke biseduar për një kurban.

Sipas dëshmitarit, personi me emrin Fetë e kishte thirr të akuzuarin Janifer në telefon, për tu bashkuar në kurban.

Ai tha se Feta e kishte lënë telefonin në tavolinë, pastaj kishte thirr Janiferi në telefon të Fetës, kurse tani i ndjeri I.G., e kishte hapur telefonin duke menduar që po thirrte dikush tjetër- kasapi, ku nuk iu kishte përgjigjur askush.

“Pastaj ka ardhur Feta përsëri në tavolinë, e ka marrë telefonin u largua 3-4 metra dhe ka fol me të me fjalët e Fetës qysh ka thënë pasi që është kryer rasti, ai tha se Janiferi i ka thënë se e ka shajtur me fjalë banale”, tha dëshmitari Gashi.

Dëshmitari tha se 6-7 minuta pasi që kishte folur Feta në telefon kishte ardhur Janiferi, me veturë vetëm dhe kishte shkuar tek tavolina direkt te tani i ndjeri, duke i thënë se “a e kishte thirrë ndokush në telefon apo kush më thirri”, e ku sipas tij I., i kishte thënë “për t’iu shmangur se keni fol me djalë të Bashkimit”, dhe duke i thënë se nuk e ka numrin e tij.

“Në ato sekonda Janiferi ka shkuar një hap prapa ka shajtur edhe një herë, dhe pastaj ka shkrep armën. Armën e ka pasur në brez, ka shkuar vetëm një hap prapa dhe ka shtënë në drejtim të Ilirit”, tha dëshmitari Gashi.

Sipas dëshmitarit, distanca kur kishte gjuajtur nuk ka qenë më shumë se 4 metra larg dhe se ai kishte shtënë edhe duke u larguar nga prapa.

Kur kishte gjuajtur, ai tha se nuk i kishte penguar askush, pasi që ka qenë punë e sekondave.

Po ashtu, tha se viktima kishte qenë ulur dhe të shtënat kanë qenë në pjesën e djathtë të trupit të tij, e ku tani i ndjeri kishte rënë në gjunjë pasi që nuk ka mundur të ngritet dhe ka vazhduar të gjuante i akuzuari.

Më pas u dëgjua dëshmitari Denis Gashi, vëllai i tani të ndjerit I.G, i cili tha se atë ditë kishte qenë në atë lokal së bashku me vëllanë e tij dhe të tjerët, ku ishin ulur të bisedojnë diçka për kurban.

Ai gjithashtu tha se tani i ndjeri e kishte hapur telefonin e Fetës dhe nuk ishte përgjigjur askush, e kur pasi që kishte ardhur Feta e kishte thirr në telefon, pas 7-8 minutave tha se kishte ardhur Janiferi me një shpejtësi të madhe me veturë, dhe duke i thënë viktimës “a më ke thirr në telefon”.

Sipas tij, distanca mes tyre tha se kishte qenë një metër, ndërsa më tej tha se i akuzuari i kishte share të gjithë dhe ka shtënë me armë.

“I., e ktheu kryt pas dhe i tha se as nuk kam numër tëndin dhe as nuk të thirra, Janiferi është tërhjekur një hap pas na ka shajtë të gjithëve dhe ka shtënë me armë, duke u vazhduar të tërhiqet pas”, tha dëshmitari Desnis Gashi.

Ai tha se nuk e dinte se sa herë kishte shtënë i akuzuari Janifer, por se karikatorin e dytë e kishte bërë gati, ku kishte dashur të gjuajë edhe në të, mirëpo dy persona e kishin kapur për dore dhe e kanë ndaluar.

Sipas tij, distanca në mes të akuzuarit dhe I., kur ka gjuajtur kishte qenë afër 2 metra, duke u tërhequr nga pas.

“Kur i ka përfundu karikatori, e kam sulmuar Janiferin dhe i thashë a pe sheh çka mi bane vëllaut, atëherë e ka qit karikatorin e dytë Janiferi, dhe ka dashtë me shtënë në drejtim timin, mirëpo Feta dhe Enveri nuk ia lëshonte dorën”, tha dëshmitari.

Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarëve, seanca e sotme u ndërpre dhe sipas agjendës seancat e radhës pritet të mbahen më 7 dhe 8 shtator 2023.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës më 13 mars 2023, po e ngarkon të akuzuarin Janifer Gashi, që më 28 qershor 2022, rreth orës 21:04 min, në fshatin Kryshec, Komuna e Pejës, para lokalit “Shelnja” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit I.G, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.G, si dhe me ç’rast me dashje i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit Flakrim Gashi dhe po ashtu me dashje ka rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarve Zekë, Denis, Lirim dhe Fetë Gashi.

Sipas aktakuzës, pasi që i akuzuari me veturën e tij kishte shkuar në vendin e ngjarjes, tek lokali “Shelnja”, zbret nga vetura dhe nga një distancë prej afro një ose dy metrave, i drejtohet tani të ndjerit, i cili në atë moment ishte ulur në tavolinë me të dëmtuarit e tjerë, me fjalët “a më thirre ti në telefon”, dhe pas përgjigjes së tani të ndjerit “unë as nuk të thirra, as së kam numrin tënd”, i akuzuari Janifer nga brezi nxjerrë pistoletën, bën dy- tre hapa mbas dhe nga një distancë prej dy-tre metrave shtie pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I. dhe të dëmtuarve, duke e goditur tani të ndjerin I. me katër predha në pjesën e abdomenit, e të cilat lëndime kanë qenë të rrezikshme për jetën e tani të ndjerit, e ku ky i fundit pas lëndimeve vdes në QKUK më 5 korrik 2022.

Sipas aktakuzës, thuhet se me këtë ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 173, pika 1.5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e dytë, i akuzuari Gashi ngarkohet se sipas përshkrimit të ngjarjes së lartcekur, me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Flakrim Gashi, ku pas goditjeve të cilat pësoi tani i ndjeri I.G, po ashtu me një predhë godet të dëmtuarin Flakrim Gashin, në regjionin e kërcirit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore si dhe duke i rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarve të tjerë.

Sipas aktakuzës, për këtë thuhet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, par.2 lidhur me par.1, pika 1.1 të KPRK-së.

Gjithashtu në dispozitivin e tretë, i akuzuari Gashi, ngarkohet se në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me Ligjin mbi armë, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pistoletë së bashku me një karikator dhe shtatë fishekë, me të cilën armë ditën kritike kishte shtënë pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I.G.

Me këtë rast, thuhet i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së.

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Kalo në kategori