LAJMI I FUNDIT:

Pas Cambridge Analytica, Facebook rrit ndjeshëm fitimet

Pas Cambridge Analytica, Facebook rrit ndjeshëm fitimet

Facebook vërtetoi përfundimisht se nuk ka reklamë të keqe pasi publikoi shitjet e tre muajve të parë të vitit, që janë rritur me thuajse 50 për qind nga një vit më parë, pavarësisht skandalit të madh të të dhënave që çuan Mark Zuckerbergun të japë llogari në Kongresin Amerikan.

Facebook tha se të ardhurat u rritën në 11,9 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit në krahasim me 8 miliardë në të njëjtën periudhë një vit më parë. Vetë Zuckerberg shfrytëzoi rastin dhe tha se, pavarësisht sfidave të rëndësishme, komuniteti dhe biznesi i Facebook-ut e kanë nisur shumë fort vitin 2018. Ai gjithashtu shtoi se kompania po rishikon me shumë kujdes përgjegjësitë e saj.


Facebook tha se të ardhurat nga reklamat u rritën në 11.7 miliardë dollarë tremujorin e fundit në krahasim me 7.8 miliardë në 2017. Edhe fitimet e tremujorit të parë u rritën duke arritur në 4.9 miliardë dollarë krahasuar me 3 miliardë të vitit të shkuar.

Rritja e fitimeve të Facebook-ut ndodhi pikërisht kur kompania u përfshi në një skandal kolosal të keqpërdorimit dhe vjedhjes së të dhënave të përdoruesve. Facebook pranoi se të dhënat e 87 milionë përdoruesve ishin ndarë gabimisht me firmën Cambridge Analytica dhe se kompania nuk kishte bërë asgjë për të kontrolluar apo monitoruar veprimet e saj.

Megjithatë, duket se skandali nuk ka trembur përdoruesit e Facebook-ut, pasi numri mesatar i atyre që ishin aktivë përditë në Facebook gjatë marsit u rrit me 13 për qind apo 2.2 miliardë dollarë, ndërsa numri i stafit të kompanisë u rrit me 48 për qind apo 27,742 punëtorë. /Telegrafi/